Në prag të Krishtlindjes, Papa Françesku dha një mesazh të fortë gjatë meshës solemne në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, duke dënuar luftërat, vrasjet e fëmijëve dhe bombardimet në shkolla e spitale.
Ai i bëri thirrje botës të mos mbyllë sytë ndaj padrejtësive dhe vuajtjeve të të varfërve.
“Shpresa që lind në këtë natë nuk toleron përtacinë e atyre që janë mësuar me rehati dhe komoditete. Nuk pranon kujdesin e rremë të atyre që nuk marrin anë nga frika e kompromiseve dhe atyre që mendojnë vetëm për veten,” deklaroi Papa.
Ceremonia nisi me hapjen e derës së shenjtë në Bazilikën e Shën Pjetrit, duke shënuar nisjen e Vitit Jubilar Katolik, i cili do të zgjasë deri më 6 janar 2026. Ky vit konsiderohet një kohë paqeje dhe faljeje, me pelegrinë nga mbarë bota që udhëtojnë drejt Romës për të marrë indulgjenca të veçanta.
Në prani të rreth 6,000 besimtarëve brenda bazilikës dhe 25,000 të tjerëve që ndoqën ceremoninë përmes ekraneve në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa bëri një thirrje për vendet e pasura që të ndihmojnë vendet me të ardhura të ulëta, duke ulur barrën e borxhit të padrejtë.
“Jubileu është një kohë përtëritjeje shpirtërore dhe angazhimi për transformimin e botës. Le të jetë një kohë për lirimin nga borxhet e padrejta që rëndojnë vendet e varfra dhe për t’i dhënë fund skllavërisë, të vjetër dhe të re,” tha ai.
Pavarësisht sfidave të shëndetit të kohëve të fundit, Papa Françesku u shfaq në formë të mirë gjatë ceremonisë. Të mërkurën, ai do të japë mesazhin tradicional të Krishtlindjes dhe bekimin “Urbi et Orbi” për qytetin e Romës dhe botën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.