Nga Gazeta ‘Si’ – Përdorimi i teknologjisë në bizneset shqiptare po ecën me ritme të ngadalta.
Të dhënat tregojnë se ndërmarrjet me 10 e më shumë të punësuar që kanë përdorur kompjuter me akses në internet për qëllime pune gjatë këtij viti, përfaqësojnë 99.1% të ndërmarrjeve, nga 98.7% që rezultuan në vitin 2022.
Gjatë këtij viti, përqindja e ndërmarrjeve të cilat kanë specialistë të fushës së teknologjisë së informacionit dhe komunikimit është 28.4%, nga 26.3% që rezultoi vitin e shkuar.
Të punësuarit që kanë përdorur kompjuter me akses në internet për qëllime pune përbëjnë 29.9% të të punësuarve gjithsej të ndërmarrjeve, nga 29.2% një vit më parë.
Përqindja më e lartë e të punësuarve që përdorin kompjuter me akses në internet vërehet në aktivitetin e informacionit dhe komunikimit me 72.3%, e ndjekur nga aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 64.9% dhe shërbimet administrative dhe mbështetëse me 56.3%.

Këtë vit ndërmarrjet me mbi 250 të punësuar përdorin 100% kompjuter me akses në internet. Në këtë grup ndërmarrjesh, 31.6% e të punësuarve përdorin kompjuter me akses në internet.
Gjatë këtij viti, 99.1% e ndërmarrjeve ka përdorur lidhje fikse në internet, e cila përfshin lidhjet e tipit ADSL, SDSL, VDSL, fibër optike (FTTP), teknologji kabllore, etj nga 99% që rezultuan në vitin 2022.
Këtë vit, 14.8% e ndërmarrjeve kanë shitur produkte/shërbime nëpërmjet faqes së internetit, aplikacioneve të dedikuara, faqeve të internetit e-commerce dhe aplikacioneve të përdorura nga ndërmarrje të ndryshme për tregti të produkteve.
Peshën më të madhe të tregtisë elektronike e zënë ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitet në fushën e informacionit dhe komunikacionit me 31.7%, pasuar nga akomodimi dhe aktivitetet e shërbimit të ushqimit me 30.7% dhe shërbime administrative dhe mbështetëse me 25.7%.
Media sociale (Facebook, Linkedln,Twitter, Youtube, Pinterest etj.) është përdorur nga 80.5% e ndërmarrjeve që përdorin kompjuter me akses në internet, nga 77.5% që rezultoi në vitin 2022.
Këtë vit, shërbimet cloud të cilat i referohen shërbimeve që përdoren në internet për të aksesuar programe kompjuterike, kapacitete ruajtëse, etj janë përdorur nga 22.9% e ndërmarrjeve që kanë akses në internet.
Aplikimi i software-it për menaxhimin e marrëdhënieve me klientët (CRM) i cili ndihmon lehtëson komunikimin me klientin dhe ndihmon në gjurmimin e interesave të klientëve, etj është përdorur nga 25.2% e ndërmarrjeve gjatë këtij viti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.