Nga Gazeta ‘Si’- Një grup prej rreth 30 deputetësh të Partisë Demokratike kanë protestuar sot para Parlamentit Europian.
Deputetët e PD kanë njohur kolegët e tyre europianë me faktet e arrestimit politik të Kryetarit të PD dhe Liderit të Opozitës Sali Berisha, duke kërkuar monitorimin nga afër të situatës dhe lirimin e tij të menjëhershëm. Gjithashtu ata kanë kërkuar edhe lirimin e deputetit Ervin Salianji ndërkohë që nuk kanë përmendur arrestimin e Ilir Metës.


“Jemi në një vit zgjedhor, dhe drejtësia po përdoret për të goditur të gjithë drejtuesit e opozitës, që Edi Rama të konkurojë me vetveten dhe të mbajë pushtet me dhunë” – u shprehën deputetët demokratë.
Deputetja Dhurata Çupi shihet duke mbajtur një pankartë në anglisht ku thuhet “Duam t’i bashkohemi Europës, jo me varka”.
Ndërsa, deputetja tjetër e PD-së Elda Hoti mbante një pankartë “Lironi deputetin Salianji”!
Deputetët e pranishëm në Strasburg janë Edi Paloka, Zheni Gjergji, Lefter Gështenja, Ramadan Likaj, Flamur Hoxha, Bledion Nallbati, Edmond Spaho, Kreshnik Çollaku, Asllan Dogjani, Isuf Çela, Elda Hoti, Lindita Metaliaj, Tritan Shehu, Sorina Koti, Kastriot Piroli, Tomor Alizoti, Dhurata Çupi, Qani Xhafa, Xhelal Mziu, Dashnor Sula, Saimir Korreshi, Ilda Dhori, Ludovik Hasanaj, Kasem Mahmutaj, dhe Petrit Doda.
Ata akuzojnë Kryeministrin Edi Rama se sipas tyre ka ekzekutuar shtetin ligjor, ka asgjësuar balancën mes pushteteve, dhe ka eleminuar zgjedhjet e lira.
Për deputetët e PD, duke u bazuar edhe në të dhënat e bëra publike nga hetimet penale të përgjimeve SKY/ECC në rastin e ish deputetit socialist Jurgys Çyrbja, Shqipëria është i vetmi vend në Europë që qeveriset me prova të pakontestueshme nga krimi i organizuar, deri në pikën që organizatat kriminale diktojnë edhe vendet e kandidatëve për deputet në listën e PS.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




