Pas 13 vitesh në Shqipëri janë rikthyet “Ethet e Nilit” ku deri më tani janë shënuar 3 viktima dhe 17 të infektuar, ndërsa pritet konfirmimi edhe për disa raste të tjera.
Deri më tani janë rastet janë konfirmuar në Fier, Lushnjë, Berat dhe Kurbin.
Shefja e departamentit të Sëmundjeve Ngjitëse pranë ISHP-së, Silva Bino doli në komunikim me mediat, ku konfirmoi lajmin dhe bëri të ditur se situata është nën kontroll.
Kjo sëmundje ka shpërthyer në muajin korrik. Rasti i parë dyshohet se ka qenë një emigrant që qëndroi në qytetin e Lushnjës, i cili konfirmoi se ishte prekur nga sëmundja pasi ishte rikthyer në Greqi.
“Kjo verë ka qenë me pak infeksione, ka pasur rritje të rasteve me Covid edhe të shfaqjes së Etheve të Nilit. Për Evropën kjo verë është e mbushur me disa lloje infeksionesh. Kjo lidhet me lëvizjet e njerëzve. Kemi pasur shpërthim në 2011, 2017 dhe 2018.
Kemi 17 raste, një banues në Lushnjë, 19 raste të mundshme, të prekurit kanë jo vetëm shenja klinike dhe ekzaminim serologjik, janë kryer testime 84% gjatë korrikut, janë 64 raste të dyshuara. Ethet e Nilit qarkullojnë tek zogjtë por prekin kuajt. Janë 3 raste vdekje, ethet janë sëmundje që kalon letshëm tek personat e rinj, pas moshës 60 vjeç apo tek persona që kanë dëmtime të imunitetit shfaqen format me prekje të sistemit nervor. Kemi komunikuar me bashkitë për dezinsektimin e zonës”, tha Bino.
Duke shpjeguar origjinën e virusit dhe mënyrën si transmetohet, Bino specifikoi edhe qytetet ku është shënuar numri më i lartë i të prekurve në vend.
“Ethet e Nilit Perëndimor është një sëmundje zoonotike, pra që qarkullon kryesisht te zogjtë dhe që prek kryesisht kuajt në sistemin nervor qendror. Por në vendin tonë nuk kemi një monitorim të kuajve për “Ethet e Nilit Perëndimor”. Sa i përket zonave ku kemi pjesën më të madhe kemi Lushnjen, Fierin, Kurbinin dhe Beratin (pjesën në afërsi të Lushnjës, disa raste në Lezhë dhe në Shkodër. Nuk ka patur të prekur në zonat bregdetare.”
Sa i përket masave që janë ndërmarrë, Bino u shpreh se testimet nga ISHP do të vijojnë, por këshilloi qytetarët të tregojnë kujdes pasi simptomat mund të ngatërrohen me ato të një gripi sezonal.
“Masat që merren lidhen me hetimin entomologjik për të parë llojin e mushkonjave, sepse është sëmundje që qarkullon te kafshët ku ka viremi të lartë dhe më pas merret nga mushkonjat kuleks gjatë pickimit. Këto mushkonja e transmetojnë nga zogjtë tek njerëzit, por jo nga njeriu tek njeriu. Shpeshherë mund të ngatërrohet me një virozë, por shoqërohet me temperaturë ose dhimbje të forta muskulare, dhimbje të forta koke ose shenja në lëkurë.”
“Ethet e Nilit” transmetohen nga mushkonjat dhe në format më të lehta sëmundja tek pacientët zgjat nga 3 deri në 6 ditë. Simptomat e virusit janë të ngjashme me ato të gripit, pasi shfaqin temperature dhe gjendje parehatie të përgjithshme.
Shkrimi i datës 2 korrik 2024 në Gazeta Si – Mushkonjat ‘mësyjnë’ Shqipërinë, ISHP: 4 vektorë të rrezikshëm në qarkullim
Shqipëria nuk i ka shpëtuar as në këtë sezon veror qarkullimit intensiv të mushkonjave, të cilat gjenden lehtësisht si në zonat urbane ashtu dhe në bregdet.
Bazuar në një studim entomologjik që ka kryer Instituti i Shëndetit Publik, në vendin tonë janë identifikuar 4 lloje vektorësh, dy prej të cilëve konsiderohen si vektorë të rrezikshëm për shkak të transmetimit të viruseve që shkaktojnë komplikacione të rënda në shëndet.
“Në Shqipëri qarkullojnë mushkonjat të tipit: Anopheles, Aedes, Culex dhe Culiseta. Aktualisht në zonat urbane qarkullojnë dy lloje kryesore; mushkonja e zakonshme Culex pipiens e cila është vektor i etheve të Nilit Perëndimor dhe mushkonja tigër Aedes albopictus e cila është e aftë të transmetojë virusin e Chikungunjës, Zikës, ethet Dengue etj. Ndërsa në zonat bregdetare llojet kryesore të pranishme në këtë periudhë janë Aedes detritus, Aedes vexans, Aedes caspius, Culex pipiens dhe Aedes albopictus. Mushkonjat Aedes detritus, Aedes vexans, Aedes caspius janë bezdisëse me pickimet e tyre në mbrëmje dhe gjatë natës”, thuhet në raportin e ISHP.
Dezinsektimi i bregdetit, Durrësi e Vlora akoma në kontrollin e mushkonjave
Në fillim të muajit maj, ISHP deklaroi se do të nisë dezinsektimin në zonat bregdetare, konkretisht në zonën e Velipojës Shkodër, në Golem e Spille, në Gjirin e Lalzit, Shën Pjetër, Durrës dhe Plazh Plepa Durrës, në Divjakë dhe plazh, Fier, Darëzezë dhe plazhin e Semanit në Fier, në Nartë dhe plazh Zvërnec, Radhimë, Orikum, Dhërmi, Jal, Himarë-Livadh, Qeparo, Borsh, Bunec, Sarandë, Çukë, Kslami, Parku Kombëtar i Butrintit dhe zonat përreth.
Sipas ISHP, deri tani zonat bregdetare në qarkun Shkodër, Tiranë dhe Fier kanë përfunduar procesin e dezinsektimit, ndërsa në qarkun e Vlorës dhe Durrësit ka mbetur pa u mbyllur ky proces.
Durrësi dhe Vlora janë dy prej qarqeve me numrin më të madh të pushuesve gjatë verës dhe nevoja për dezinsektim është e madhe. Ekspertët e shëndetit publik thonë se qarkullimi intensive i mushkonjave vjen si pasojë e vatrave të krijuara në mënyrë artificiale nga njerëzit që përshijnë kova me ujë, fuçi, lodra të harruara në oborr, pishinat e plazhit, pjatat e vazove të luleve, gomat e përdorura të makinave, lulet dekorative, puseta etj.
“Në procesin e dezinsektimit është integruar ndërhyrja derë më derë në mjedise publike dhe private të vlerësuara nga ana e Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor përkatës, si zona “hot spot” të nxehta për zhvillimin e larvave të mushkonjave. Gjatë këtyre ndërhyrjeve po bashkëpununohet me komunitetin e zonave të përcaktuara, duke e informuar atë lidhur me vendet e zhvillimit të larvave të mushkonjave brenda dhe përreth banesave të tyre, rolin dhe përfshirjen e tyre në këtë proces, si dhe është bërë evidentimi dhe trajtimi apo eleminimi i vatrave të zhvillimit të larvave.”, thonë për ‘Gazeta Si”, burimet zyrtare në Institutin e Shëndetit Publik.
Sipas tyre, kontrolli mbi mushkonjat parashikohet të kryhet deri në muajt shtator/tetor me një frekuencë tre javore në varësi të kushtëve klimatike dhe problematikave që mund të shfaqen nga mushkonjat.
Sa i takon sëmundshmërisë, burimet zyrtare në ISHP thotë se aktualisht nuk kemi sëmundje të trasmetuara nga mushkonjat në vendin tonë, por është mjaft e rëndësishme informimi dhe përfshirja e komunitetit në mënyrë aktive për eleminimin e vendeve ku zhvillohen larvat e mushkonjave brenda mjediseve të banesave dhe në lagjen ku jetojnë, për të ulur nivelin e bezdisjes nga pickimet dhe mundësinë e transmetimit të patogjenëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.