Kosova

3 shqiptarë të Kosovës të bllokuar në Afganistan

Mes shumë qytetarëve që po mundohen të largohen në mënyrë të dëshpëruar nga Afganistani, mësohet se janë edhe 3 shqiptarë të Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës thotë se është në kontakt me tre shtetas të Kosovës, me qëllim që t’i evakuojë nga Afganistani.

Ministria tha se është duke punuar së bashku me partnerët ndërkombëtarë që të evakuojë të gjithë shtetasit e Kosovës nga Afganistani.

“Deri në mesditën e së hënës, MPJD është në kontakt të drejtpërdrejt me tre shtetas dhe po angazhohet për t’ju dalë në ndihmë. Ata janë në gjendje të mirë dhe nuk janë të rrezikuar”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

MPJD po ashtu ka vënë në dispozicion numrin kontaktues: +383 45 492 316, ku të gjithë qytetarët e Kosovës mund të thërrasin për të marrë udhëzimet dhe ndihmën e nevojshme.

Kosova, ndërkaq, ka shprehur gatishmërinë që të strehojë përkohësisht afganët që kanë bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara.

Më 15 gusht, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se ka pranuar “pa hezitim” kërkesën që ka paraqitur në korrik, ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett në emër të presidentit, Joe Biden.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se po komunikon me autoritetet amerikane, për çështjen e strehimit të afganëve, duke shtuar se besojnë se “gjithçka do të përmbyllet mirë”.

Situata e sigurisë në Afganistan është përkeqësuar që prej se trupat ndërkombëtare, në krye me SHBA-në, njoftuan në maj se deri më 31 gusht do të tërhiqen nga vendi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë