Nga Gazeta ‘SI’ – Në një takim me bizneset, Delina Ibrahimaj, ministre e shtetit për sipërmarrjen, shpjegoi se si do të implemetohet “Paqja fiskale” e propozuar nga qeveria.
Ibrahimaj tha se do të ketë 3 pika ku do të bëhet “paqe”- nga tatim mbi fitimin tek falja e borxheve tatimore.
“I pari, është një marrëveshje që do t’i propozohet çdo tatimpaguesi i cili është subjekt i tatimit mbi fitimin, që do të zgjasë për 3 vjet, me të drejtë rishikimi çdo vit, ku në bazë të një historiku tre vjeçar të fitimit neto të kompanisë, dhe do t’i propozohet biznesit një masë tatimi mbi fitimin në masën 15%. Të gjitha bizneset që do vendosin të hyjnë në këtë marrëveshje, përjashtohen nga çdo kontroll tatimor. Nëse do të vendosë që do të deklarojë një fitim më të lartë se ai i dakordësuar me administratën tatimore, për fitimin shtesë, biznesi do të tatohet me 5%. Si do të llogaritet ky fitim që do t’i propozohet çdo biznesi.
Supozojmë një biznes me fitim neto 100 mijë euro në 2020, në 2023 110 mijë euro dhe në 2024 120 mijë euro. Mesatarja e tre viteve e fitimit neto është 110 mijë euro. Rritja ekonomike do të jetë rritje në varësi te parashikimit që ministria e Financave do të ketë për rritjen e atij viti. Për çdo biznes do të ketë koeificent që lidhet me cilësinë e biznesit, nëse është i madh apo vogël. Formula për të llogaritur fitimin është mesatarja e tre viteve që i shtohet një vlerë, e shumëzuar me rritjen ekonomike dhe koeficentin rregullues”, shpjegoi ministrja për Sipërmarrjen.
Në pikën e dytë ajo shpjegoi se bizneset do të keë të drejtën e rishikimit të deklaratave tatimore 5 vitet e fundit, duke rishikuar zërat e ndryshme të bilancit dhe paguar tatim prej 5% për çdo diferencë që do të rishikohet. Kjo bëhet që biznesi të mbyllë historikun e të kaluarës dhe të ecë në të ardhmen i sigurt dhe në paqe.
“E treta, kemi marrë masë me qëllim lehtësimin e detyrimeve të akumuluara për shkak të problematikave të ekonomisë. Për këtë kemi propozuar që të fshijmë të gjitha detyrimet, interesat e kamat vonesat të bizneseve që janë më të vjetra se 10 vjet. Fshijmë të gjithë kamatvonesat të bizneseve ndërmjet 5 vjet-10 vjet. Dhe e vlefshme për bizneset që do të vendosin që të paguajnë në një këst të paguajnë të gjithë detyrimin dhe do t’i falet 50% e detyrimit. Kush s’do ta paguajë dot me një këst detyrimin, jepet mundësia të lidhin marrëveshje, ta paguajnë në 12 muaj dhe t’i falet 25% e detyrimit”, sqaroi Ibrahimaj.
Pjesë e takimit ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se tatimfitimi i caktuar 15% ndaj kompanive nuk do të preket nga ana e qeverisë.
Rama tha, nuk synon rritjen e të ardhurave duke ushtruar presion mbi sipërmarrjen, pasi sipas tij do të shkaktonin më shumë dëm.
“Tatim fitimin e kemi vendosur 15% që atëherë dhe nuk e lëvizim, as nuk do ta rrisim dhe as nuk do ta prekim. Do të jetë 15%. Në aspektin e administrimit e dimë që do të kemi të meta dhe boshllëqe që janë tonat, e dimë që kemi një hapësirë ende të pashkelur për të rritur të ardhurat për shtetin. Ne nuk duam të synojmë rritjen e të ardhurave duke ushtruar presion mbi sipërmarrjen, dhe dukë bërë më shumë dëm se sa mirë”, tha kreu i qeverisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.