Volum i lartë për 3 gola (2 në pjesën e parë dhe 1 në të dytën) përballë Andorrës që justifikoi pritshmëritë. Një skuadër e vendosur me shumë forca mbrapa që çedoi vetëm në dy raste në pjesën e parë ndaj kuqezinjve. Mbështetje e ulët në shkallët e “Arenës Kombëtare” që mund ti faturohet motit të keq por edhe emrit të vogël të kundërshtarit. Mirëpo të besuarit e Sylvinho-s nuk e kursyen aspak këtë fakt dhe u përpoqën të merrnin maksimumin dhe deri diku ja arritën.

Manaj dhe Uzuni shënuan të dy në ndeshjen jubilare, e 40 për ta me fanellën e Kombëtares. 9’ pas fillimit rezultati u zhbllokua kur Rey Manaj shfrytëzoi saktësisht krosimin e Asllanit në shtyllën e parë. 1-0 për kuqezinjtë që nuk e ulën ritmin, përkundrazi. Broja që e nisi titullar (në ndryshim nga mbrëmja në Wembley) bën gjithçka mirë në aksionin individual dhe gjen sërish Manajn në qendër, 2-0 me golin e 10 kuqezi të Rey Manajt. Një rezultat që nuk ndryshoi vetëm për shkak të Alvarez, portieri i Andorrës ndali të paktën 3 gola në pjesën e parë përballë Hoxhës, Manajt dhe Asllanit. E njëjta pamje edhe pas pushimit, ku Shqipëria sulmonte por Andorra u kthye gjithnjë e më mbrapa me objektivin e vetëm, të mos pësonte më shumë.

Mirëpo kuqezinjve iu duhej një golevarazh më i thellë për llogaritë e fundit në grup. Përpjekjet nuk u ndalën as në kohën shtesë dhe kur mendohej se mbrëmja u mbyll me golat e Manajt, krosimi nga krahu i majtë kaloi nëpërmjet sulmuesit të Sivasspor për të përfunduar tek Uzuni. Krejtësisht i lirë ai shënoi golin e 3 dhe të 6 personal. Për të festuar na u desh të prisnim kontrollin në VAR dhe pas konfirmimit, nuk kishte më kohë. 3-0 për 3 pikët e para. Ndërkohë me të njëjtin rezultat fitoi edhe Anglia ndaj Letonisë. Rezultate që ngjisin Shqipërinë (3 pikë) në vendin e dytë falë golevarazhit (+1) përpara Letonisë në të njëjtën kuotë por me golevarazh negativ (-2).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.