Futboll

3 futbollistë te bllokuar prej pesë ditësh në aeroportin e Frankfurt

Tre futbollistë argjentinas të bllokuar në aeroport, pa patur mundësinë të dalin apo të kthehen në vendin e tyre. Duket si historia e filmit “The Terminal”, me Tom Hanks, përkundrazi ndodh vërtetë në Frankfurt, në Gjermani. Futbollistët janë Leonardo Gil (Al-Ittihad), Sergio Vittor (Damac) e Cristian Guanca (Al-Shabab), që luajnë në kampionatin e Arabisë Saudite. Ata vendosën të linin ekipet e tyre pas ndalimit të kampionatit për shkak të Koronavirus dhe të ktheheshin në Argjentinë për të qëndruar me familjen. Udhëtimi nisi të premten e kaluar, por nga Frankfurti ata nuk kishin leje nga autoritetet argjentinase për të vazhduar më tej. Plani i tyre i udhëtimit parashikonte edhe një ndalesë në San Paolo, por madje edhe brazilianët nuk pranojnë pasagjerë transit për në Argjentinë. “Trokitëm në çdo derë. Është një turp, ka avionë që nisen bosh për të marrë të huajt në Buenos Aires dhe nuk e kuptojmë përse qeveria jonë, si argjentinas, nuk na lejon të kthehemi” ka thënë Gil duke treguar ngjarjen për të përditshmen Bild.

Prej pesë ditësh grupi jeton në zonën e tranziteve të aeroportit gjerman. Me Guanca udhëtojnë edhe gruaja, dy vajzat 6 e 7 vjeç dhe e ëma 56 vjeçare. “Ajo konsiderohet në rrezik, ndërsa me vajzat mundohemi të kalojmë kohën duke luajtur”. Në hotelin e zonës së tranzitit jo gjithnjë ka dhoma të lira: “Kur ka vend sistemohemi, përndryshe flemë në tokë”. Për ushqime ndihmat kanë ardhur nga personeli i aeroportit. “Duhet ti falënderojmë të gjithë”, thotë Gil.

Mesfushori qendror Gil, ka mbërritur tek Al-Ittihad në fillim të 2020, nga Rosario Central. Guanca është ka shëtitur botën, ku më përpara ka luajtur në Kili pastaj në Arabi nga 2018. Më parë është aktivizuar në  Ekuador (Emelec) dhe në Turqi (Kasimpasa). Vittor është një mbrojtës edhe ai i blerë nga Damac në fillim të vitit nga Banfield, por me eksperiencë në Sllovaki (Zilina) e Kili (Universidad de Concepcion, Universidad de Chile). Udhëtimi i ardhshëm për Buenos Aires është të premten. Ata shpresojnë të jetë dita e duhur.

Por rasti i futbollistëve nuk është i vetmi, pasi edhe një student rus, që fluturoi për në Gjermani megjithë pandeminë e Covid-19 është ngujuar në aeroportin e Frankfurtit. Pasi iu refuzua hyrja në Gjermani, atij tani i duhet të kalojë ditët në zonën e tranzitit, sepse nuk ka fluturime të rregullta për në Rusi aktualisht. Nga data 17 mars për shkak të pandemisë së Covid-19 është në fuqi ndalimi i hyrjes në BE për të gjithë qytetarët nga vende të treta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë