Thonë se më mirë vonë se kurrë, por se sa e vlefshme do jetë kjo shprehje për merkaton e Tiranës, koha do e tregojë. Tre ditë para mbylljes së merkatos së dimrit, klubi kryeqytetas ka bërë afrimin e parë. Është mesfushori Jurgen Goxha, i cili ka firmosur për 1 vit e gjysmë kontratë si bardheblu. Mbrojtësi 26 vjeçar do të jetë pjesë e Tiranës si një përforcim me vlera për repartin difensiv.

Mësohet se Goxha ka qenë një kërkesë specifike e trajnerit Mema, që ka besim në aftësitë e tij dhe që mund të marrë përgjegjësi në repartin difensiv në rastin që do ketë shansin për t’u hedhur në fushë. Mbrojtësi 26-vjecar nuk ka eksperiencë në Kategorinë Superiore, pasi më herët më së shumti është aktivizuar në Kategorinë e Parë me ekipe, si Erzen, Beslidhja, apo Iliria.

Pas dy fitoreve të para në Kupë dhe Kampionat, trajneri i Tiranës, Ardian Mema e tha hapur se skuadra e tij ka nevojë për përforcime. Nga Tirana ka pasur disa largime në këtë merkato dhe Mema tha se minimalisht do të ndërhyhet që të larguarit të zëvendësohen. Në këto tre ditë të mbetura te Tirana pritet dhe afrimi i një mesfushorë dhe sulmues. Emrat e përfolur në media janë shumë, por ende nuk ka asgjë konkrete.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




