Futboll

3 dekada, 239 lojtarë dhe 1.47 mld sterlina – Rrugëtimi i Liverpool drejt titullit

Liverpool fitoi titullin kampion në Premier League pas 30 vitesh pritje (titulli nr.19), me 86 pikë në 31 javë, me 28 fitore, 2 barazime dhe vetëm 1 humbje. Manchester City duhej të fitonte në fushën e Chelsea për të mbajtur gjallë garën, por ka humbur 2-1 dhe kështu Liverpuli i jep fund “agjërimit” 30-vjeçar.

Për herë të parë që prej vitit 1990, Liverpuli ngjitet në çatinë e futbollit anglez. Pak më shumë se 30 vjet pritje, saktësisht 11016 ditë. Ka kaluar shumë kohë nga 28 prilli i 1990-ës deri më 25 qershor 2020. Një interval i gjatë 1573 javë, ku Liverpulit i ka munguar titulli kampion në Angli. Gjithsesi, për të ardhur te kjo ditë, Liverpool ka shpenzuar shumë para për të sjellë mjaft trajnerë dhe yje të futbollit, që nuk ia dolën dot të triumfonin në Angli.

Liverpool ka luajtur 1,149 ndeshje që nga fillimi i sezonit 1990-1991.Janë 103,410 minuta lojë të harxhuar në fushë në ndjekje të titullit të 19-të. “Reds” kanë fituar 595 nga këto ndeshje (52%), kanë shënuar 1.968 gola (golavarazhi është +822) duke grumbulluar 2,075 pikë. Numri më i madh i pikëve që ata kanë grumbulluar nga një kundërshtar i vetëm gjatë këtyre  tre dekadave janë 108 pikët ndaj Tottenham, në 60 takime mes tyre.

Lojtarët me më shumë ndeshje në 30 vitet e fundit

Që nga fillimi i sezonit 1990-91, Liverpool ka aktivizuar 239 futbollistë, ku lojtari që ka luajtur më shumë ndeshje me “Reds” është Jamie Carragher, 508 ndeshje dhe pas tij vjen Steven Gerrard. Në Top 10 renditet edhe kapiteni aktual, Jordan Hendreson, me 266 ndeshje.

Golashënuesit në 30 vitet e fundit

Golashënuesi më i mirë i kampionëve të rinj të Anglisë në këto 30 vite pritje mbetet Robbier Fowler me 128 gola, ndjekur nga Steven Gerrard dhe Michael Owen.  Një lojtar që meriton një vend të veçantë është Steven Gerrard, i lidhur thellësisht me ndjekjen e gjatë të Liverpool-it për titullin e 19-të. Mesfushori dhe kapiteni është prezent si në listën e paraqitjeve ashtu edhe në listën e golave, dhe gjithashtu ka kontribuar më shumë asist se çdo lojtar i Liverpool në 30 vitet e fundit (70).

Trajnerët në 30 vitet e fundit.

Në këto 30 vite Liverpool është drejtuar nga 10 trajnerë. Të gjithë, përveç Roy Hodgson (i cili nuk zgjati një sezon) dhe Rodgers (i cili u afrua titullit) kanë fituar të paktën një trofe me klubin. Gjatë këtyre 30 viteve pritje, Liverpool ka shpenzuar 1.47 miliardë sterlina. Blerja e parë pas titullit të 1989-90 është ajo e Ronny Rosenthal (nga Standard Liege për 1 milionë sterlina), ndërsa blerja e fundit është ajo e Takumi Minamino (7.25 milionë sterlina). Periudha më aktive për transferime ishte midis 2005 dhe 2008, kur klubi solli 40 lojtarë në vetëm tre sezone nën drejtimin e Benitez.

Shpenzimet e 30 viteve të fundit.

Burimi: BBC/ Solli në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë