Futboll

27 vite më parë, kur Roberto Baggio fitoi “Topin e Artë”

Roberto Baggio ishte futbollisti i 3-të italian që fitoi “Topin e Artë.” Në vitin 1993, kur veshi fanellën e Juventusit, ai ishte më i forti nga të gjithë. Më 28 dhjetor 1993; “bishtaleci” fitoi “Topin e Artë”. Ai është italiani i parë, që e bëri atë 11 vite pas Paolo Rossit dhe Gianni Rivera.

Një triumf i padiskutueshëm në vitin kur Milani i Fabio Capello dominoi Serie A, por humbi finalen e Champions League kundër Marseille, ndërsa Juventusi i drejtuar nga Giovanni Trapattoni e mbylli kampionatin në vendin e katërt, por arriti të fitojë Kupën UEFA.

Një Kupë UEFA që, si kurrë më parë, ka vetëm një mbiemër: Baggio. Me dopietën e tij, bardhezinjtë mposhtën Borussia Dortmund në finalen e dyfishtë, që i dha “Zonjës së Vjetër” triumfin e tretë në garë.

Roberto Baggio, atë vit, ishte praktikisht i pakonkurrueshëm. I freskët nga një sezon, ku përfundoi në vendin e dytë, Juventusi hodhi themelet e skuadrës së aftë të fitojë “Scudetto”, së pari, dhe Champions e Kupën Ndërkontinentale më vonë. Në fakt, aty mbërrijnë Dino Baggio, Moeller, Platt, Ravanelli dhe Vialli, por edhe Moreno Torricelli, i panjohur. Tre të fundit do të bëheshin shtyllat e Juventusit të Lippi. Por le të kthehemi te Juve e Trapatoni: me Baggio, Moeller, Vialli, Ravanelli dhe Di Canio përpara. Në fazën mbrojtëse, megjithatë, të çarat janë shumë, siç dëshmohet nga 47 golat e pësuar në 34 ndeshje.

Sidoqoftë, Roby Baggio ishte shfaqja brenda shfaqjes. Kapi shifrën e 21 golave atë vit, duke marrë parasysh vetëm kampionatin. Vetëm Beppe Signori arriti të shënonte më shumë, 26 gola, por me shtatë penallti të ekzekutuara. Ky ishte sezoni në të cilin, në fakt, përfundoi karriera e Marco Van Basten, i cili luajti vetëm fazën e parë me Milanin dhe kur debutoi shumë i ri Francesco Totti. Ishte fillimi i një epoke të re në futboll, dhe Baggio eksponenti më i shkëlqyer i futbollit italian, i cili pas penalltisë së humbur ndaj Brazilit, në finalen e Botërorit 1994, gradualisht do të zhdukej nga radari i futbollit të madh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë