Në 26-vjetorin e masakrës së Srebenicës, kur forcat serbe vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë në enklavën lindore boshnjake, kryeministri Edi Rama ka postuar foton e një boshnjakeje që vajton në varreza humbjen e të afërmve.
“11 korrik, 26 vjet nga genocidi i Srebenicës”, shkruan Rama në Facebook.
Por më shumë foli kryeministri i Kosovës. Albin Kurti po përmes një postimi në Facebook shkruan: “Sot është 26 vjetori i gjenocidit në Srebrenicë, ushtruar nga forcat serbe e të Serbisë mbi viktimat boshnjake. Institucione të ndryshme ndërkombëtare, ndër të cilat edhe Parlamenti Evropian, e kanë shpallur 11 korrikun datë të përkujtimit të masakrës më mizore që ka njohur Evropa pas Luftës II Botërore”.
Pak ditë më parë Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë me të cilën dënohet gjenocidi në Srebrenicë dhe ftohet Qeveria e Kosovës të nderojë viktimat dhe kujtimin e kësaj date.
Kurti po ashtu ka cekur edhe disa nga pikat, pjesë e rezolutës së miratuar në Kuvendin e Kosovës, duke përcjellë ndër radhë edhe një mesazh politik.
“Në atë rezolutë pika nr. 5 shkruan se Kuvendi i Kosovës:
‘Fton të gjitha shtetet e rajonit, që të bëjnë përpjekje shtesë për t`i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për planifikimin dhe kryerjen e gjenocidit në Srebrenicë.”
Ndërsa pika nr. 6 vë në pah se kjo rezolutë:
‘Shfaq gatishmërinë e Republikës së Kosovës dhe u bën apel shteteve të rajonit për përmirësimin e marrëdhënieve të ndërsjella dhe të bashkëjetesës ndërmjet popujve, me qëllim të përmirësimit ekonomik dhe integrimit euro-atlantik të shteteve të Ballkanit Perëndimor.’
Ne duam paqe, bashkëpunim, dhe barazi mes kombeve në Ballkan. Por themeli i asaj paqeje është ndëshkimi i kriminelëve.
Është e pamendueshme se si, edhe në shekullin XXI, ka politikanë në rajonin tonë, që thonë se ata që kërkojnë ndëshkimin e fajtorëve për gjenocid qenkan kundër dialogut e kundër fqinjësisë së mirë. Përkundrazi, e vetmja fqinjësi e mirë zhvillohet duke dënuar krimet e vendosur drejtësi, dhe i vetmi dialog i mirë ndodh kur palët nuk tremben nga distancimi prej krimeve”.
Më vonë gjatë ditës reagoi edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
“Masakra e Srebenicës është një akt genocidal i cili duhet të njihet dhe të dënohet si i tillë nga bota e civilizuar. Shqipëria duhet të ketë kurajon dhe pavarësinë për ta dënuar atë dhe genocidin serb në Kosovë, mbi të cilin PD do të paraqesë në Kuvend një rezolutë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.