Nga Gazeta ‘Si’- 15 janari i vitit 1999, 26 vite më parë, ishte i kobshëm për 45 civilë shqiptarë, banorë të fshatit Reçak. Një aksion i tmerrshëm i ushtrisë e Policisë së Serbisë, përfundoi me kryerjen e një masakre e cila më pas, do ta zgjonte botën për gjenocidin që Serbia po e kryente në Kosovë.
Më 15 janar të vitit 1999, në orët e hershme të mëngjesit, në fshatin Reçak u dëgjuan të shtënat e para nga armët e zjarrit. Të frikësuar, banorët u grumbulluan nëpër shtëpi dhe bodrume në përpjekje për të shpëtuar veten dhe familjarët e tyre.
Forcat policore dhe ushtarake serbe u futën në fshat, ku pas disa orësh të zhvillimit të operacionit, vranë 45 civilë shqiptarë.
Trupat e të vrarëve kishin mbetur në këtë luginë deri në mëngjesin e 16 shkurtit të vitit 1999. Më 16 shkurt, në mëngjes, në Reçak shkoi William Walker, asokohe shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë. Ky mision ishte vendosur në Kosovë rreth tre muaj para masakrës së Reçakut.
Kur Walker pa trupat e të vrarëve në prononcimin e tij të parë para mediave tha: “Fatkeqësisht nuk kam fjalë për të përshkruar indinjatën time personale ose atë të të gjithë atyre që ishin me mua në vendin e asaj që mund të quhet vetëm si një mizori e papërshkrueshme”.
Pamjet e masakrës së Reçakut tronditën botën.
Nga ajo kohë filloi rritja e presionit ndërkombëtarë mbi qeverinë serbe dhe liderin e atëhershëm të Serbisë, Sllobodan Millosheviç. Për disa javë rresht, forcat serbe mbajtën trupat e të vrarëve në Prishtinë. Në kohën sa trupat e të vrarëve ende nuk u ishin dorëzuar familjarëve, në Prishtinë u krijua delegacioni i Kosovës për bisedime me Serbinë me ndërmjetësimin ndërkombëtar. Bisedimet u organizuan në Rambuje të Francës. Kjo ishte konferenca e parë ndërkombëtare që mbahej ndonjëherë për Kosovën.
Pas gati një muaji, më 11 shkurt 1999 në Reçak u organizua ceremonia e varrimit të 45 trupave të civilëve të vrarë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.