Filma

243 filma në TIFF, për herë të parë edhe tema për emigracionin dhe komunitetin LGBT

Nga Gazeta Si - Prej 24 shtatorit do të çelë dyert në kryeqytet, Tirana International Film Festival (TIFF) një ndër eventet më të rëndësishme kinematografike, që zhvillohet në Shqipëri, jo vetëm për traditën (që në vitin 2003), por edhe për numrin e madh të aplikimeve dhe zbulimeve interesante vit pas viti.

Prej vitit 2018, tashmë filmit fitues me metrazh të shkurtër i jepet shansi të garojë automatikisht në Oscar.

Themeluesi dhe njëkohësisht drejtori artistik i festivalit, Agron Domi pohon për Gazetën “Si” se edicioni i 20-të i TIFF, një edicion jubilar do të zhvillohet në Kinema Millenium, Liceu Artistik “Jordan Misja”, Open Air Cinema Millenium si dhe online.

“Janë të shumtë ndjekësit dhe në botë, që nuk mund të frekuentojnë sallat dhe të udhëtojnë lirisht në Shqipëri”.

Në festivalin e këtij viti nga 109 vende të botës, janë përzgjedhur 243 filma që do të konkurrojnë përpara një jurie profesionale që është prezente në Tiranë.

“Nga 2918 filma që aplikuan këtë vit nga 109 vende të botës, janë përzgjedhur 243 filma, nga të cilët 209 filma të shkurtër dhe 34 filma të metrazhit të gjatë. Të gjithë filmat e përzgjedhur janë premiera kombëtare, por janë edhe shumë premiera botërore, internacionale, Europiane dhe Ballkanike”, shprehe Domi për Gazetën "Si", ndërsa shton se pjesëmarrja e lartë në këtë kompeticion filmi lidhet me “korrektesën në procesin e selektimit”.

Për herë të parë këtë vit në këtë kompeticion janë futur dhe programe të tjera (Seksioni PANORAMA), që rrokin tematika të tilla si emigracioni, aftësitë e kufizuara dhe problematikat e komunitetit LGBT.

“Do të jenë prezente të gjitha programet e seksionit PANORAMA, si GENERATIONs, që fokusohet tek problemet e gjinive, moshave të ndryshme nga adoleshenca deri te mosha e tretë, problemet midis tyre dhe ndërmjet tyre; New World është një seksion për temat e të drejtave të njeriut, emigracionit, minoriteteve, problemeve të mprehta sociale, etj; Divergent Minds i kushtohet integrimit të personave me aftësi të kufizuara; PARADE, ka në temat e veta problematikat e komunitetit LBGTQ. Reflecting ALBANIA është program i përvitshëm që nga TIFF 2003, që paraqet filma të rinj të realizuar nga autorë të huaj rreth Shqipërisë dhe StudentTIFF on FILM me produksionet e studentëve të Fakultetit të Filmit në Universitetin e Arteve gjatë vitit 2021-22, që do të shfaqen tek Liceu Artistik. PANORAMA këtë vit, për herë të parë, do të jetë në konkurrim duke parë kualitetin e lartë të filmave të përzgjedhur me një juri speciale”, vijon drejtori artistik i festivali për Gazetën “Si”.

Themeluesi i TIFF, Agron Domi

Një vëmendje të veçantë në këtë edicion do të ketë edhe programi KIDs, një program dedikuar fëmijëve.

“Programi KIDs për fëmijë do të ndahet në dy grupe për moshat nga 5-10 vjeç dhe nga 11-15 vjeç. Ky program i pasur e i larmishëm nga të gjitha zhanret do shfaqet çdo ditë me tri programe njëorëshe nga ora 10-13:00, te salla e re e shfaqjeve ‘Tonin Harapi’, pranë Liceut Artistik”.

Nën sloganin “Think different, watch alike”, mbrëmjen e 24 shtatorit festivali do të çelet me filmin e regjisorit të njohur Giuseppe Tornatore, që i dedikohet muzikantit legjendar Ennio Morricone.

Filmi dokumentar “Ennio” vjen si një portret i plotë i kompozitorit më të dashur e më prodhimtar të shekullit të 20-të, i vlerësuar gjithashtu edhe nga kritika e fitues i dy çmimeve Oscar.

Përveç filmave që do të garojnë për çmime, organizatorët kanë bërë edhe një përzgjedhje me filmat e Aki Kaurismaki, regjisorit më të madh finlandez të të gjitha kohërave. Adhuruesit e kinemasë, e në veçanti ata të kinematografisë finlandeze, do të mund të ndjekin një përzgjedhje prej 8 filmash, nga krijimtaria e Kaurismakit, si tribut ndaj karrierës së këtij kineasti.

Sipas organizatorit të këtij festivali, TIFF gjen mbështetje vit pas viti edhe nga fondet europiane.

“Janë shumë institucione që mbështesin TIFF-in, së bashku me partnerët e biznesit. TIFF përveç atributit si ‘Oscar Qualifying’, është që prej vitit 2013 pjesë e 110 festivaleve më të rëndësishme në botë, që ndiqen me vëmendje të posaçme online, por edhe fizikisht nga HFPA”, përfundon Domi për Gazetën “Si”.

Tirana International Film Festival më 30 prill të këtij viti u përzgjodh edhe si një nga 29 festivalet më të mira europiane të filmit, përfshirë Berlinin, Kanën, Venecian, Locarnon, dhe të tjerë, për të nominuar Filmin më të mirë të shkurtër europian për çmimet EFA.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë