Nga Gazeta ‘Si’- Këta 24 orët e fundit mund të jenë vendimtare për Erion Veliajn.
Jo në raport me drejtësinë por me familjen e tij politike dhe posaçërisht kryeministrin Rama.
Kjo marrëdhënia e dytë në fakt do të përcaktojë edhe të parën sepse Veliaj mund të humbasë edhe të fundit koracë mbrojtjeje, megjthëse aktualisht ka mjaft të çara.
Dje, Erion Veliaj ka firmosur nga qelia urdhrin që mban datën 19 Mars, ku i delegon kompetencat e kryetarit, Sara Goxhajt, një nga njerëzve më të afërt të tij.
Ky urdhër shfuqizon urdhrin e Ramës, i cili komunikoi se kryetarja e re e bashkisë ishte Anuela Ristani.
Por çfarë ka ndodhur më pas?
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, kryeministri Edi Rama ka shkuar mbrëmë në Bashki dhe ka urdhëruar protokollin të zhbëjë vendimin e Veliajt dhe ka vendosur të shkarkojë menjëherë Alban Dokushin dhe Sara Goxhajn.
Sipas burimeve, policia bashkiake është urdhëruar që të mos lejojë hyrjen në institucion të dyshes Dokushi – Goxhaj.
Ligjërisht anulimi i emërimit të Sara Goxhaj, dhe më pas shkarkimi i saj bashkë me Alban Dokushin, janë kompetencë e Këshillit Bashkiak, ose e Kryetarit në detyrë Erion Veliaj.
Rama e njeh këtë proces siç njeh edhe peshën e tij kundrejt Veliajt.
Por që t’i japë legjitimitet ligjor procesit të zgjedhjes së ‘mëkëmbësit’ të kryetarit të bashkisë priten dy gjëra. O një mbledhje e Këshillit Bashkiak që emëron të zgjedhurit e Ramës ose një urdhër nga Veliaj. Rruga e parë do të tregojë se tashmë Veliaj nuk është dakord dhe Rama vendos t’ia heqë duart atij përfundimisht nga bashkia, çka nuk e bëri herën e parë.
Rruga e dytë do të tregojë se Veliaj i ka thirrur logjikës së errësuar nga inati se nuk mund të bëjë luftë me Ramën. Rruga e dytë do të duket si një ‘zbythje’ me të cilat Erioni është mësuar shpesh.
Kur vendosi dje të tentojë të rimarrë kontrollin e bashksië për qëllim që ai mendon por që nuk volit me ato të Ramës, Veliaj gaboi se e harroi se në fund të fundit ka përballë njeriun që mund ta zbresë nga froni dhe t’i japë furçë dhe kovë me bojë, siç bëri kur ishte i pakënaqur nga rinovimet e banesave të dëmtuara nga tërmeti.
Por edhe nëse Erioni detyrohet të firmosë një urdhër tjetër me kadidatin e pëlqyer nga Rama, kjo nuk do të thotë se i mbylli në paqe hesapet me kryeministrin dhe kryetarin e partisë.
Ai guxoi t’i kundërvihet dhe kjo ishte rruga e gabuar. Veliaj siç duket, ende nuk ka zgjedhur të duhurit që mund të ndihmojnë ose ende nuk ka kuptuar se kush realisht mund ta ndihmojë. Siç nuk ka kuptuar se ai nuk është i pazëvendësueshëm.
Ndaj, 24 orët e ardhshme do të jenë përcaktuese për të siç edhe do të tregojnë se deri ku mund të shkojë falja e Ramës ndaj ftesës për duel që i bëri lali Eri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.