Kosova merr këtë të diel 24 mijë doza të vaksinës AstraZeneca në kuadër të platformës Covax, por pak më shumë se gjysma e këtyre do të shkojë për shqiptarët dhe pjesë tjetër do të jetë e kushtuar për serbët, pavarësisht se këta të fundit, sidomos në veri të vendit janë vaksinuar edhe nga Serbia dhe për më tepër nuk përbëjnë as 10 për qind të numrit total të popullsisë.
Sipas planit të imunizimit të miratuar nga autoritetet shëndetësore të Prishtinës, 11 mijë vaksina do të shpërndahen për 5400 punonjësit shëndetësore në dhjetë komunat e vendit me shumicë serbe, ndërsa 13 mijë do të shpërndahen nëpër zonat e tjera të vendit.
Plani i imunizimit të Kosovës ndahet në tre faza në përfundim të të cilave synohet që të vaksinohet gjysma e popullsisë.
Faza e para nis me 24 mijë dozat AstraZeneca që Kosova merr të dielën dhe përshin vaksinimin e të gjithë punonjësve të sistemit shëndetësor, atyre të shtëpive të të moshuarve dhe të moshuarit mbi 80 vjeç. Po në këtë fazë është parashikuar edhe vaksinimi i personave me sëmundje kronike, si ata që me dializë, diabet dhe sëmundje të zemrës.
Numri i përgjithshëm i këtij grupi, siç raporton Radio Europa e Lirë, përllogaritet të jetë rreth 54.000 persona, apo 3 për qind e popullsisë së përgjithshme të Kosovës. Sipas planit të Qeverisë, kohëzgjatja e fazës se parë do të jetë 20 ditë.
Faza e dytë do të përfshijë grupmoshat 65 deri 79 vjeç, popullsinë e mbetur me sëmundje kronike, mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë të përfshira në menaxhimin e pandemisë COVID-19, që përbëjnë rreth 300 mijë, ose 17 për qind të popullsisë së përgjithshme.
Gjatë fazës se parë dhe të dytë të futjes në përdorim të vaksinës, Kosova do t’i përdorë vaksinat nga programi COVAX, ndërsa në fazën e fundit, në plan parashihet të bëhet vaksinimi i 50 për qind të popullsisë në mënyrë që të arrijë 900 mijë persona, ose 70 për qind të mbulimit të përgjithshëm të popullsisë me vaksinën COVID-19.
Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se sfida e qeverisë së tij është vaksina kundër koronavirusit dhe se ai synon të sigurojë vaksina të mjaftueshme për 60 për qind të popullatës. Qeveria e Kosovës ka ndarë 40 milionë euro në buxhetin e vitit 2021 për prokurimin e vaksinave kundër COVID-19. Ky vendim i ekzekutivit ka marr edhe miratimin e Kuvendit të Kosovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




