Muzike

Udhëtim që nga Brazili. Eleni më në fund gjen origjinën

Koncerti që e solli në Tiranë, në Sheshin Skënderbej natën e 25 korrikut mund të mos ishte në kohën më të mirë, ndërsa në Athinë ende numërohen viktima që u përpinë nga flakët  dhe,  të  cilësoje se Eleni Foureira “e ndezi” atmosferën me “zjarrin” e saj, ku për rastësi kënga e renditur në vend të dytë në Festivalin Europian të Këngës në Portugali e që përfaqësoi shtetin e Qipros titullohej “Fuego”, tingëllonte ironike.

Megjithatë për ata që e ndoqën nga afër e ishin të duruar të prinin mesnatën kur këngëtarja me origjinë shqiptare u ngjit mbi skenë, pasi përpara saj kënduan dhjetë artistë shqiptarë, janë të mendimit se performanca e saj ishte njëmendi shpërthyese. Ajo u ngjit në skenë pas këngëtarit Eugent Bushpepa, me të cilin u takua sërish pas eksperiencës në Lisbonë ku edhe u komentuan shumë për simbolin e shqiponjës me duar.

Foureira gjatë performancës në Sheshin Skënderbej, 25 korrik 2018.

Foureira, e lindur në qytetin e Fierit si Entela Fureraj, e gostiti audiencën me këngët e saj ritmike. E debatuar në të shkuarën rreth origjinës së saj – ku pretendimet e saj shkonin nga kombësia braziliane te ca damarë meksikanë e deri te rrënjët epiriote të të gjyshit –Foureira  gjatë koncertit i përshëndeti dashamirësit e muzikës në gjuhën shqipe “Jam shumë e lumtur që jam këtu në Tiranë,”- thuhet se  u shpreh ajo gjatë koncertit, ndërsa secila këngë u shoqërua edhe me koreografi sensuale.

Foureira dhe shefi Renato Mekolli.

Të rralla shfaqjet e saj përpara koncertit, ku ajo u ndal të drekonte në restorant “Umami” me mikun e saj, shefin Renato Mekolli, me të cilin nuk ndajnë vetëm të përbashkëtën e jetesës në Greqi, por edhe origjinën fierake, pas koncertit Eleni Foureira është pritur nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili i dha këngëtares çelësin e qytetit, duke i hapur kështu në mënyrë simbolike dyert e Tiranës. “Ti je pjesë e familjes tonë dhe ne jemi shumë krenarë për atë çka ti bën, jo vetëm si artiste e madhe, por njëkohësisht si njeri shumë i mirë”,  është shprehur Veliaj, ndërkohë që si kryetari i Bashkisë ashtu edhe Foreira kanë zgjedhur gjuhën angleze për të komunikuar, me gjasë për shkak të vështirësisë që mund të ketë këngëtarja me gjuhën shqipe, pasi e la vendlindjen në moshë fare të re.

“Gjithmonë jam ndier krenare për faktin e të qenit shqiptare. Gjyshja ime që ndodhet tani në Vlorë, do ndihet shumë e lumtur! Edhe unë jam shumë e lumtur që ju kam bërë krenarë dhe gjithmonë do mundohem t’ju bëj ju (Shqipërinë), Greqinë dhe Qipron, të tre  vendet e mia, krenarë”, tha ajo.

Foureira me kryebashkiakun Erion Veliaj, i cili i dha këngëtares Çelësin e Tiranës

Rruga deri  në finalet e Eurovision-it në Lisbonë kishte qenë jo e shkurtër për Foureirën e cila për të mbërritur deri aty kishte bërë një sërë përpjekjesh prej tetë vitesh tashmë,  për të përfaqësuar Greqinë në Eurovision, së pari më 2010. Do të merrte refuzimin e grekëve deri në vitin 2007, ndërsa në shkurt të këtij viti u bë e ditur se do të përfaqësonte Qipron.

E rritur në lagjen ‘Kalithea’ të Athinës, tragjedia në kryeqytetin grek  nuk mund të mos e trondiste këngëtaren, e cila ka deklaruar jo pak herë se ndihet greke dhe e konsideron Greqinë si atdheun e saj, vendi ku mori edhe edukimin. Këngëtarja 31 vjeçare ishte vetëm dhjetë vjeç, kur më 1997 –vitin e trazuar shqiptar – kur sëbashku me familjen emigruan  në shtetin fqinj, ku i ati punoi në ndërtim ndërsa e ëma në hekurosje.

Jo vetëm këngëtare, por me një eksperiencë edhe si balerinë, aktore (ka punuar për rreth tre vite në teatër  dhe stiliste e modës, e nisi karrierën në vitin 2007 si pjesë e një grupi muzikor vajzash me emrin  Mystique,  përpara se të niste një karrierë solo në vitin 2009. Por, qysh prej fillimeve të karrierës, origjina e saj u spekulua gjatë në median greke. Si anëtare e Mystique, deklaroi se ishte braziliane, por më pas tha se i ati ishte nga Athina ndërsa  e ëma nga Janina, por  pretendonte se kishte edhe pak origjinë meksikane.

Eleni Foureira në Eurovision 2018

Më 2010-ën kur përpiqej të natyralizohej si shtetase  greke spekulimet rreth origjinës arritën kulmin.  Më 2013 –ën media greke dot ë shkruante se Foureira kishte lindur në Shqipëri dhe se emri i saj i lindjes ishte Entela Fureraj. Do të kalonte një vit, derisa këngëtarja ta pohonte lajmin, duke zbuluar se arsyeja që e kishte shtyrë të mos e zbulonte origjinën e saj ishte frika se nuk do të mund të pranohej nga industria e muzikës greke. Më shumë sesa të pranonte kombësinë, Foureira u mjaftua duke thënë për mediet e vendit fqinj se kishte lindur në Shqipëri.

Foureira dhe Bushpepa në Eurovision.

Edhe pas debateve të nxehta pas fotografisë që pushtoi rrjetet sociale ndërsa ajo dhe këngëtari Eugent Bushpepa, i cili përfaqësoi Shqipërinë në Eurovision do të shfaqeshin me duart të hapura në formën e shqiponjës dykrenare, Foureira do të thoshte se gara muzikore ku po merrte pjesë i bashkonte njerëzit, duke deklaruar edhe njëherë se Greqia është vendi i saj, vendi ku u rrit dhe se e ka dëshmuar se e adhuron Greqinë, ndaj debatet ishin të panevojshme.

Duke e çuar Qipron në prezantimin më të mirë të tij si shtet në Festivalin Europian të Këngës, e dashuruar thellë me Greqinë, tanimë Eleni Foureira, me këtë koncert në Tiranë duket se ka hapur duart – ashtu si me atë gjest simbolik të shqiponjës – për të përqafuar edhe identitetin e saj shqiptar, ndërsa tani është edhe qytetare me çelësin e Tiranës...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë