Ngjarje

21 vatra zjarri në 24 orë, tre prej tyre ende aktive

Nga Gazeta Si- 21 vatra zjarri janë regjistruar në 24 orët e fundit në territorin e vendit. 18 prej tyre janë shuar ndërkohë që sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, 3 vatra zjarri janë ende aktive.

Ndërkohë, efektivët e Forcave të Armatosura e Forcat Zjarrfikëse, së bashku me ato të shërbimit pyjor po punojnë për izolimin e plotë të vatrës në fshatin Pregjë-Lurë, në Dibër. Puna ka vazhduar për shuarjen e zjarrit të rënë në fshatin Shënmëri të bashkisë Mirditë si dhe në vatrën e zjarrit midis fshatrave Goranxi dhe Derviçan, në Dropull të Poshtëm.

Për shkak të temperaturave, terrenit të vështirë dhe erës së fortë zjarri dje në këtë zonë mori përmasa të mëdha duke përkeqësuar situatën në fshatrat Dhuvjan, Goranxi dhe Derviçan.

Ministri i mbrojtjes Niko Peleshi u bën thirrje banorëve që të raportojnë në kohë vatrat e zjarrit, për të shmangur përhapjen në sipërfaqe më të gjera.

“Ju lutemi banorëve të bashkëpunojnë me autoritetet vendore, duke raportuar në kohë vatrat e zjarrit, për të shmangur përhapjen në sipërfaqe më të gjera”, shkruan në Facebook Peleshi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë