Propozimi i deputetëve të opozitës për të shpallur 21 janarin si festë kombëtare dhe ditë pushimi në përkujtim të Kongresit të Lushnjës i mbajtur afro një shekull më parë fut në sherr socialistët. Deputeti i opozitës, Myslim Murrizi ka mbrojtur nismën e firmos në komisionin parlamentar të Ligjeve, duke deklaruar veç nënshkrimit të deputetëve, ka edhe si mbështetje edhe peticioni e 12.300 qytetarëve që kanë firmosur si peticion duke e depozituar në bashkinë e Lushnjës, e cila drejtohet nga socialistët prej vitesh. “Është shumë më e madhe si ngjarje, madje unë do të thoja se është më e rëndësishëm se vetë 28 nëntor, pasi vendimet e Kongresit të Lushnjës më 1920 u mor për bazë edhe nga vetë Lidhja e Kombeve e asaj kohe”, theksoi Murrizi.
Pas paraqitjes së një rezyme të shkurtër, deputeti i PS-së, Alket Hyseni si relator doli kundër propozimit të paraqitur, edhe pse e vlerësoi si një datë historike. Por socialisti ngriti shqetësimin tjetër pasi caktimi i 21 janarit si ditë pushimi do të kishte një kosto financiare dhe se kjo rëndon mbi buxhetin e shtetit shqiptar. “Jam konsultuar dhe kjo do të rëndonte në buxhetin e shtetit dhe se nuk mund të caktohet si një ditë pushimi”, deklaroi Hyseni. Ai shtoi se aktualisht Shqipëria ka 14 festa zyrtare më shumë se të gjithë në rajon dhe se shtimi i një feste tjetër do të ishte e tepërt. Por ky qëndrim u kundërshtua nga ana e Murrizit, por edhe nga deputeti i PS-së, Bashkim Fino, si një nga depuetët e Lusnjës. “Në Shqipëri shtatë festa janë fetare, një është për ditën e verës. Vetëm dy festa janë politike, 28 dhe 29 nëntori. Kongresi i Lushnjës është një festë që i bashkon shqiptarët, prandaj duhet të votojmë”, theksoi Murrizi. Ndërsa Fino e cilësoi si të gabuar faktin e nxjerrë nga socialisti Hyseni se ka një faturë financiare. Duke shprehur pakënaqësinë se Murrizi nuk e kishte përfshirë në këtë iniciativë, Fino u shpreh se vetëm fatura financiare nuk mund të rëndojë në buxhetin e shtetit dhe se më mirë duhet të ishin paraqitur argumente historikë për Kongresin e Lushnjës dhe se kërkoi shtyrjen në kohë të këtij projektligji.
Deputeti i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi shkoi edhe më tej në akuza, pasi sipas tij, refuzimi që i bëjnë socialistët kësaj nisme vjen nga fakti se “PS vazhduese e denjës e partisë kriminale komuniste e kuptoj që është jashtë frymës kombëtare, jeni parti kriminale”. Kjo solli reagimin e ashpër kryekomisionerit Ulsi Manja, i cili ia ndërpreu fjalën deputetit të Ballit Kombëtar. “Të lutem zoti Alimadhi respekto etikën, kemi 800 mijë persona që na kanë votuar. S;mund të pranoj unë fjalë fyese si kriminel”,theksoi Manja.
Pretendimet për shpenzimet e larta të faturave, Murrizi i kujtoi faktin se edhe vetë Parlamenti ka parashikuar që vitin e ardhshëm me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Lushnjës të shpenzojë 30 milionë lekë për aktivitete dhe se kostoja që mund t’i shkaktohet buxhetit është 30 herë më e ulët se sa koncesionet e rrugëve. Pas këtyre përplasje, socialistët ranë dakord për ta shtyrë vendimmarrjen javën e ardhshme, për të pasur edhe konsultime edhe me historianët me këtë çështje.
Kongresi i Lushnjës i zhvilloi punimet nga 21 janari deri të vitit 1920, në të cilin u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë si dhe zgjodhi këshillin e lartë prej 4 vetash, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një këshill kombëtar me 37 veta. Kryeministër u zgjodh Sulejman Delvina. Ky kongres njihet se si dita e parlamentarizmit shqiptar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.