10 vite nga ngjarja, familjarët e viktimave të 21 janarit presin ende drejtësi. E drejtësia, edhe sipas Kryeministrit Edi Rama, edhe pse ka kaluar një dekadë nga tragjedia nuk e ka thënë ende fjalën e fundit.
Hera e fundit që drejtësia ka folur për katër vrasjet ka qenë vjeshta e vitit 2013-të, kur PS sapo kishte marrë pushtetin në koalicion me LSI-në. Gjykata e Apelit rrëzoi vendimin e pafajësisë së Gjykatës së Shkallës së Parë si jo plotësisht të bazuar në prova e në ligj.
Në bazë të këtij ndryshimi, Apeli deklaroi fajtor ish-kreun e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi për “vrasje nga pakujdesia”, me pasojë vdekjen e shtetasit Faik Myrtaj, duke e dënuar atë me 1 vit burg, si dhe deklarimin fajtor të gardistit Agim Llupo, për të njëjtën vepër penale duke e dënuar me 3 vite burg.
Prej këtij vendimi, për sistemin e drejtësisë kësaj ngjarjeje i është vënë kapaku. Por, në ceremoninë përkujtimore të 10-vjetorit, Kryeministri Edi Rama e la sërish të hapur, ndërsa akuzoi se vendimi i 2013-ës është një vrasje e dytë e 4 viktimave, që i shpalli “Dëshmorë të Atdheut”.
“Drejtësia do të bëjë të sajën dhe ata të cilët i vranë për herë të dytë dhe i vranë në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me palë të treta të veshur në togën e zezë të gjykatësve, do të përgjigjen”, tha ai.
Por, nuk mendojnë kështu protagonistët e tjerë politikë të asaj dite tragjike. Ish-Kryeministri Sali Berisha e pranoi vite më vonë që Garda ka qëlluar, por thotë se ajo ka zbatuar ligjin e bërë nga vetë socialistët para 2005-ës.
“Me 21 janar kam qenë në zyrë unë dhe policia nuk vrau asnjë. Garda zbatoi ligjin që kishin bërë socialistët. Ke raporte zyrtare që policia nuk vrau asnjë”, deklaron ai.
Meta, duke folur nga kolltuku i Presidentit në distancë kohore prej nëntë vitesh nga ngjarja akuzoi Ramën se keqpërdori qytetarët.
"Sa i takon 21 janarit, sigurisht që nuk kemi asnjë arsye për t’u krenuar. Është një ngjarje që na kujton se sa tragjike është kur opozita përdor dhunën për të arritur objektiva politike të pandershme dhe se sa e rëndë është kur instrumentalizohen qytetarët për qëllime të tilla, sidomos kur nxiten në rrugën e dhunës. Kjo ngjarje na kujton se duhet të heqim dorë një herë e përgjithmonë nga dhuna si një mjet i arritjes së qëllimeve politike", deklaronte Presidenti një vit më parë.
Lulzim Basha, që në atë ditë ishte ministër i Brendshëm e kishte në varësi Policinë e Shtetit dhe Gardën e Republikës është përpjekur ta shmangë këtë temë. Një nga herët e pakta që ka folur mbi ngjarjen ishte dhjetori i vitit të kaluar.
“Policia në atë kohë ka pasur një qëndrim shembullor. Ishte Garda ajo që qëlloi në kushtet e shkeljes së perimetrit. Po Edi Rama, sa herë që është në siklet rinxjerr 21 janarin, por njeriun e gardës e bëri drejtor të OSHEE-së dhe kryetar të Bashkisë së Matit”, tha ai.
Në heshtje të drejtësisë, dy kahet e politikës sot ja pasojnë fajin njëra-tjetrës, ndërsa edhe ky përvjetor i radhës i vrasjes së Faik Myrtajt, Ziver Veizit, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës i gjen aktorët e atyre ditëve në majat më të larta të shtetit shqiptar, Ilir Metën si President, Edi Ramën si Kryeministër e Lulzim Bashën si kryetar të opozitës.
Për familjarët e të afërmit e viktimave, ajo që duket se ka mbetur është vetëm përkujtimi i të dashurve të tyre në këtë datë çdo vit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.