Nga Gazeta ‘Si’- Sali Berisha, në konferencën për media, është pyetur në lidhje me 21 janarin, protestën e 14 viteve më parë, ku mbetën të vrarë 4 persona.
Kreu demokrat, i cili asokohe ka qenë kryeministër, është shprehur se që natën e protestës, ka kërkuar hetim ndërkombëtar për ngjarjen.
Berisha tha se ngjarja po përdoret për qëllime politike dhe për të fshehur organizatorët e saj, që sipas tij, sollën njerëz në protestën më të dhunshme që ka patur politika në këto 32 vite.
“Së pari, keqardhjen time e kam shprehur për viktimat, jo pas 14 vitesh, siç pretendoni ju, por e kam shprehur fiks në ora 7 të darkës të asaj nate, ditën e rrethimit, datën 21 janari 2011, dhe në mënyrë të përsëritur.
Së dyti, po atë natë dhe të nesërmen e pasnesërmen kam kërkuar një hetim ndërkombëtar të çështjes. Institucionet më serioze ndërkombëtare kanë shprehur se ajo protestë e dhunshme kishte agjendë politike. Së treti, ka një deklaratë të qeverisë së SHBA në të cilën kërkohet hetimi që nga polici deri te organizatori, që është Edi Rama.
Së katërti, ata që nuk duan të mashtrojnë veten dhe nuk duan t’i përdorin fatkeqësitë e tjerëve për ushqim politik, duhet ta dinë se në këto 14 vite Prokuroria ka qenë në kontrollin e Edi Ramës. Ka qenë Ina Rama që unë e akuzova për puçiste, që refuzoi prokurorët ndërkombëtare. Prokurorët e tjerë, njeri tjetër përveç Edi Ramës, nuk i ka penguar të hetojnë.
Përdorimi politik i kësaj ngjarjeje, ku u sollën për qëllime politike për të pushtuar Kryeministrinë, është dëshmi e keqpërdorimit të kësaj ngjarjeje kryekëput për qëllime politike dhe për të fshehur organizatorët që sollën njerëz në protestën më të dhunshme që ka patur politika në këto 32 vite.
Mbështes hetimin dhe deklaroj se nuk ka asgjë tjetër vetëm për të shpëtuar përgjegjësitë e atij që organizoi protestën më të dhunshme për qëllime të pushtetit të tij, Edi Ramës”, tha Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.