Të dhënat e reja konfirmojnë se viti 2024 do të jetë viti më i nxehtë i regjistruar dhe viti i parë kalendarik që tejkalon pragun e Marrëveshjes së Parisit, një lajm shkatërrues për planetin.
Pothuajse të gjitha vendet e botës u zotuan të përpiqen të mbajnë ngrohjen globale nën 1.5 gradë Celsius në Marrëveshjen e Parisit, për të cilën shkencëtarët thanë se do të parandalonte ndikimet përkeqësuese të tilla si thatësirat, valët e të nxehtit dhe ngritjen katastrofike e nivelit të detit. Ata paralajmërojnë se në atë nivel, kriza klimatike e shkaktuar nga njeriu, e nxitur nga ndotja e karburanteve fosile që bllokon nxehtësinë, fillon të tejkalojë aftësinë e njerëzve dhe botës natyrore për t’u përshtatur.
Të dhënat e publikuara të mërkurën nga Shërbimi Evropian i Ndryshimeve Klimatike Copernicus tregojnë se viti 2024 është “praktikisht i sigurt” se do të shkojë mbi atë prag.
Të dhënat u publikuan para samitit të OKB-së për klimën, i cili do të mbahet javën e ardhshme në Azerbajxhan, ku vendet do të përpiqen të pajtohen për një rritje të madhe të financimit për luftimin e ndryshimit klimatik.
Nga janari deri në tetor, temperatura globale mesatare ka qenë aq e lartë saqë viti 2024 do të jetë i nxehtë në vijim nëse temperaturat në muajt e mbetur të vitit nuk bien nën zero.
“Shkaktari thelbësor, kryesor i rekordit të këtij viti është pikërisht ndryshimi klimatik”, tha për Reuters drejtori i Copernicus, Carlo Buontempo.
“Klima po ngrohet në përgjithësi. Po ngrohet në të gjitha kontinentet, në të gjitha pellgjet e oqeanit. Prandaj pritet që këto rekorde të vazhdojnë të thyhen”, tha ai.
Shkencëtarët thanë se 2024-ta do të jetë gjithashtu viti i parë në të cilin planeti është më i ngrohtë për 1.5 gradë, krahasuar me kohën paraindustriale, 1850-1900, kur njerëzit filluan të djegin lëndë fosile në shkallë industriale.
Çdo rritje temperature nxit mot ekstrem. Në tetor, qindra njerëz humbën jetën si pasojë e përmbytjeve katastrofike në Spanjë. Zjarret rekorde goditën Perunë, ndërsa përmbytjet në Bangladesh shkatërruan më shumë se 1 milion tonë oriz, duke bërë që të rriten tej mase çmimet.
Në SHBA, ndërkohë, uragani Milton u bë më i vrazhdë si pasojë e ndryshimit klimatik të shkaktuar nga dora e njeriut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.