Gazeta Si – Bojkoti i stërvitjes si presion për pagat e prapambetura është një histori e njohur për klubet shqiptare. Edhe për një klub si Tirana, kampione në fuqi dhe që duhet të ishte një shembull për mënyrën si funksionon një klub në futbollin e sotëm.
Por ka ndodhur e kundërta. Viti 2023 ka nisur keq për Tiranën. Pas bllokimit të merkatos nga FIFA, për shkak të detyrimeve që ky klub ka ndaj disa ish-futbollistëve të tij, vjen edhe bojkotimi i stërvitjes. Ekipi nuk ka pranuar të dalë në fushë ditën e martë për stërvitjen e parë të vitit.

Futbollistët nuk janë paguar për dy muajt e fundit, ndërsa pjesëtarët e stafit teknik dhe atij mjekësor kanë vonesa edhe më të mëdha. Pas bojkotit të djeshëm pritet që drejtuesit të reagojnë dhe ta zgjidhin situatën, që nuk duhet të precipitojë.
Një situatë absurde, por të mendosh se Tirana ka arkëtuar shuma të konsiderueshme me pjesëmarrjen në Kupat e Europës verën e kaluar dhe me shitjen e disa lojtarëve të saj. Borxhet e vjetra e kanë shoqëruar klubin kryeqytetas gjatë gjithë këtyre viteve të fundit, duke sjellë shpesh edhe bllokimin e llogarive bankare, si aktualisht.
Në situata të ngjashme janë gjendur shpesh edhe klube të tjera në vend. Vështirësitë e aspektit financiar janë gjithmonë të pranishme në futbollin shqiptar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




