Analize

2023 na vërtetoi mjerimin që shkakton politika e fuqive të mëdha. Si mund t’i bëjmë gjërat ndryshe?

Nga Margus Tsahkna* – Një botë e bazuar tek rregullat, është triumfi i paqes mbi luftën. Ose të paktën këtë ka treguar historia gjatë 8 dekadave të fundit. Premtimi i famshëm “Kurrë më!” ka qenë arsyeja e ekzistencës se institucioneve globale si Kombet e Bashkuara dhe Gjykata Ndërkombëtare Penale (IÇ).

Ato u ngritën nga rrënojat e Luftës së Dytë botërore, dhe sollën në fakt një paqe të qëndrueshme. Zgjerimi i lirive individuale dhe i zhvillimit ekonomik, u kuptua si nënprodukt i tyre. Po sot gjithnjë e më shumë njerëz në mbarë botën, nuk besojnë më tek ajo narrativë. Sepse premtimi i saj është shkelur me rikthimin e agresionit në shkallë të plotë nga Rusia, së bashku me përshkallëzimin e dhunës dhe të paqëndrueshmërisë në mbarë botën. Ne jemi dëshmitarë të tmerreve që ky sistem supozohej t’i kishte eliminuar shumë kohë më parë.

Institucionet ndërkombëtare, duken sot shumë shpesh të pafuqishme në rastin më të mirë për t’u përballur me sfidat më serioze të kohës sonë. Në rastin më të keq, ato janë bashkëfajtore në mundësimin e tyre. Dhe me rënien e shpejtë të besimit, rrezikon të shembet i gjithë sistemi aktual.

Nëse ndodh kjo, do të nënkuptonte rikthimin në një epokë perandorish, në të cilën “forca dikton se kush ka të drejtë”, dhe ku të gjithë do të vuajnë. Sot në mbarë botën dëgjoj njerëz që të pyesin, me një emergjencë gjithnjë e në rritje, se si mund ta shpëtojmë sistemin ndërkombëtar aktual të bazuar në rregulla.

Po ashtu ndjej zhgënjimin e atyre që ankohen se jo të gjithë po angazhohen në mënyrë të barabartë për ta shpëtuar atë. Por ne nuk mund të shpresojmë ta shpëtojmë sistemin ekzistues ndërkombëtar të bazuar në rregulla nga krizat në të cilat na zhyti, dhe as të presim që të gjithë të jenë të pasionuar pas diçkaje që ata mendojnë se nuk funksionon për ta.

Nëse mund të dështojë një herë, ai do të dështojë sërish. Prandaj ky sistem ka nevojë për ndryshime thelbësore. Lufta e vazhdueshme dhe barbare e  Rusisë kundër Ukrainës nuk shembi vetëm sistemin. Ajo shfrytëzoi disa nga të metat e tij të shumta për të degraduar normat dhe vlerat e saj.

Nëse vazhdon ky konflikt, ne të gjithë do ta humbasim përfundimisht interesin për të shpëtuar sistemin ndërkombëtar aktual. Dhe për të shpëtuar një sistem të bazuar në rregulla, ne duhet të pranojmë se si në të gjithë Afrikën por edhe pjesë të Evropës, viktimat e pushtimit perandorak ndihen të armiqësuar ndaj këtij rendi.

Ngjashëm, gjatë Luftës së Dytë Botërore, vendet më të vogla të Evropës Lindore e panë veten të detyruara të bëhen pjesë e “sferave të ndikimit”, teksa pati një agresion të tmerrshëm. Si një njeri i rritur nën pushtimin sovjetik, unë e kuptoj fare mirë se si është të jesh i izoluar nga bota dhe i përjashtuar nga vendimet që ndikojnë në jetën tënde dhe ata përreth teje.

Bota jonë e bazuar tek rregullat, është në fakt një histori e vazhdueshme në aspektin e  mënyrës se si ne çlirohemi nga politika e fuqive të mëdha dhe mjerimi dhe shkatërrimi që ajo sjell për të gjithë. Kjo është një histori që duhet besohet nga të gjithë.

Ne mund t’i japim fund njëherë e mirë politikës së fuqive të mëdha, duke garantuar që të gjithë të kenë lirinë për të kontribuar në vendimmarrjen ndërkombëtare. Sepse aktualisht individët, komunitetet, madje edhe kombet dhe rajone të tëra, nuk kanë ndikimin e duhur mbi vendimet që i prekin drejtpërdrejt.

Ne duhet të krijojmë një sistem ndërkombëtar shumë më të qëndrueshëm përballë agresorëve, por edhe shumë më të mirë-pajisur për t’u përballur me varfërinë, sëmundjet dhe krizën e ndryshimeve klimatike. Për këtë arsye, Estonia po bën thirrje për mbajtjen e një samiti të ri global, ku të diskutohet se si ta bëjmë botën akoma më të lirë.

Së pari, duhet të forcojmë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla, duke i pranuar të metat e tij, dhe duke u siguruar që ai të pasqyrojë më mirë realitetet e shekullit XXI-të. Kjo përfshin reformimin e OKB-së. Këshilli i Sigurimit ka nevojë për anëtarë të përhershëm shtesë, për të pasqyruar më mirë botën tonë moderne.

Po ashtu, duhet të kujtojmë se ekziston përgjegjësia parësore, por jo ekskluzive, e shteteve për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Ne duhet ta mbrojmë botën nga përdoruesit abuzues të vetos. Dhe mund ta bëjmë këtë duke mbështetur nismën e Francës dhe Meksikës për kufizimin e të drejtës vetos, koherencës dhe transparencës, për të mos votuar kundër rezolutave që synojnë t’i japin fund mizorive të mëdha.

Por nga ana tjetër, duhet të jemi edhe më kreativë dhe ambiciozë. Ndaj ne propozojmë si fillim formimin e një grupi bazë për të analizuar rrjedhën e veprimeve, që do të ndërmerren nga Asambleja e Përgjithshme kur një anëtar i përhershëm i këshillit të sigurisë shkel kartën e OKB-së.

Aktualisht GJNP-ja nuk ka kompetencë të gjykojë krimin e agresionit, edhe pse u krijua dikur si organi suprem i së drejtës ndërkombëtare në gjyqet e Nurembergut ndaj nazistëve, dhe u njoh si e tillë nga të gjitha vendet në vitin 2010.

Ky është shembulli më i spikatur i një sistemi ndërkombëtar jofunksional, që lejon shkeljen e hapur të parimeve të tij më themelore ndërkombëtare pa u ndëshkuar. Në rastin e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, ne duhet ta trajtojmë pikërisht tani këtë dobësi. Rolin kryesor duhet ta luajë Asambleja e Përgjithshme.

Ajo e ka dënuar vazhdimisht agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, dhe ka rënë dakord se duhet të ketë përgjegjësi për krimet ndërkombëtare. Por për ta arritur këtë, duhet të ketë një gjykatë speciale për krimet e agresionit.

Së dyti, ne duhet ta pranojmë se vendet që shkelin më rëndë angazhimet ndërkombëtare ndaj vendeve të tjera, kanë gjithashtu më shumë gjasa të kenë shkelur tashmë angazhimet e tyre të brendshme ndaj shtetasve të tyre. Promovimi i të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, duhet të bëhet një pjesë e natyrshme e politikës globale të sigurisë.

Shkeljet e të drejtave të njeriut në cilindo vend qoftë nuk mund të shpërfillen, sepse në realitet ato e dëmtojnë gjithë-përfshirjen dhe paraqesin rreziqe për stabilitetin e sistemit ndërkombëtar. Në thelb, bëhet fjalë për të siguruar mbrojtjen e të gjithë njerëzve nga dhuna.

Kjo është thelbësore për ata që kanë më shumë gjasa të përballen me rreziqe të dëmtimit në punën e tyre, siç janë mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe gazetarët. Po ashtu, kjo është thelbësore për grupet margjinale dhe të cenueshme si gratë dhe fëmijët, pakicat etnike dhe fetare, refugjatët, emigrantët dhe ata që janë homoseksualë, biseksualë dhe transgjinorë.

Fjala është edhe për mbrojtjen e lirisë së fjalës, e cila përfshin si lirinë e medias, ashtu edhe lirinë e internetit.  

Së treti, ne duhet të zgjerojmë përfshirjen në politikë-bërjen ndërkombëtare për të krijuar të gjitha kushtet për një botë të lirë. Kjo përfshin mundësinë që shtetet e vogla të botës dhe shoqëria civile, të kenë një rol më të madh në çështjet ndërkombëtare, të cilat tradicionalisht vendosen nga shtetet dhe aleancat e mëdha.

Sot gjendemi në një moment kyç të historisë botërore. Siguria e vetme, është se sistemi ekzistues ndërkombëtar nuk mund të qëndrojë edhe për shumë kohë i pandryshuar. Sado sfiduese të bëhet bota, mos harroni se themelet e rendit botëror aktual, u hodhën pikërisht në ditët më të errëta të Luftës së Dytë Botërore.

Në pranverën e vitit 1941, gati e gjithë Evropa kishte rënë në duart e fuqive totalitare.

Ndërsa fitorja e aleatëve nuk ishte aspak e sigurt, përfaqësuesit e vendeve të pushtuara dhe atyre aleate u takuan në Londër. Diskutimi që nisën ata u zgjerua në nivel global, dhe çoi në fund në krijimin e OKB-së, kartën e së cilës ata filluan të hartonin edhe para Ditës D (zbarkimi i trupave aleate në Francë), si dhe Gjyqeve të Nurembergut, të cilat hodhën themelet për të drejtën ndërkombëtare moderne dhe themelimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

Në këto kushte, ne nuk duhet të presim një përsëritje të situatave që kanë pasoja shkatërruese. I kemi të gjitha mundësitë dhe duhet të vazhdojmë me vrullin e dikurshëm të atyre që e nisën këtë punë, dhe të nxisim në diskutim të ri global për ta bërë botën akoma më të lirë.

Burimi: “The Guardian”/ Përshtati: Gazeta Si

*Margus Tsahkna, është Ministër i Jashtëm i Estonisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë