Muajt e fundit të 2019, policia ndërmori një aksion të bujshëm që synonte shkatërrimin e një rrjeti prostitucioni, ku të përfshirë, sipas përgjimeve që u bënë publike nga dosja në fjalë, dolën edhe personazhe të botës së ekranit dhe spektaklit.
Kjo ishte goditja më e bujshme, për shkak të emrave të përfshirë në dosjen hetimore, por jo e vetmja përgjatë 2019.
Nga janari 2019 e deri në dhjetor 2019 janë disa raste të tjera, ku uniformat blu kanë ndërhyrë në ambiente, kryesisht lokale, të përshtatura nga pronarët e tyre për shfrytëzim prostitucioni dhe shpesh edhe për konsum droge.
Në janar 2019 u ndërmor një aksion në rrethin e Gjirokastrës çoi në pranga dy shtetase, 34 dhe 29 vjeç. Ato figuronin bashkëpronare të një lokali, por që në të vërtetë sipas policisë, shfrytëzohej nga to për të ushtruar prostitucion. Një rast i ngjashëm u godit edhe në 2018 në këtë qytet, por dy të arrestuarat u akuzuan se shfrytëzonin kamarieren për prostitucion kundrejt shumave të parave.
Pak javë nga ky rast, policia e Tiranës ekzekuton një urdhër-kontrolli në një apartament pranë ish-Stacionit të Trenit. Brenda gjejnë të zhveshur dhe para kompjuterit një vajzë. Policia kryen arrestimin e saj në flagrancë me akuzën e “prostitucionit”. Me këtë akuzë shkoi edhe prokuroria para gjykatës ndaj kësaj shtetasje, por gjykata e rrëzoi duke e rivlerësuar akuzën nga “prostitucion” në “pornografi”.

Sipas gjykatës, sipas përcaktimeve të legjislacionit shqiptar, “prostitucion” ndodh vetëm atëherë kur ka kontakt fizik kundrejt një shumë parash dhe se shfaqja nudo përpara një ekrani kompjuteri nuk mund të futej si vepër e përfshirë nga kjo akuzë.
Në qershor, policia arreston dy shtetas dhe një punonjëse të Policisë Kufitare të Rinasit, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin tentuan të trafikojnë për shfrytëzim prostitucioni në Francë një 26-vjeçare. E reja do të pritej në Francë nga një 33-vjeçar, që policia tha se u shpall në kërkim nga autoritetet franceze.
Një muaj më vonë, një rast i ngjashëm u regjistrua në Korçë. Katër persona u arrestuan me akuzën se u përpoqën që të trafikonin në Greqi një të mitur për të shfrytëzuar për prostitucion. Operacioni u ndërmor për të goditur një grup që vepronte në fushën e narkotikëve dhe gjatë hetimeve të mëtejshme u zbulua edhe rasti i minorenes.
Po në korrik, një operacion në fshatin Trojas të Bashkisësë Belshit çoi në pranga pronarin e një lokali, që shfrytëzohej nga pesë vajza për prostitucion. Gjatë kontrolleve, policia gjeti edhe kokainë dhe për procedim penal pesë shtetase të tjera me akuzën e prostitucionit. Pronari u arrestua, ndërsa pesë vajzat që shfrytëzoheshin për prostitucion u proceduan në gjendje të lirë.
Pak javë më vonë, në Shkodër, policia e ndihmuar edhe nga forcat RENEA zbuloi se një lokal nate shfrytëzohej si një strehë për përdorim kokaine dhe shfrytëzim prostitucioni. Në pranga u vunë menaxherët e lokalit. Policia procedoi në gjendje të lirë një të re, që punonte si balerinë në këtë lokal.
Në Fier, Durrës, Vlorë, Lezhë dhe Korçë u raportuan të tjera aksione kundër prostitucionit, ndërsa goditja më e fortë kundër këtij fenomeni mbërriti më 24 nëntor, kur policia arrestoi në një hotel Hermes Nikajn, një emër i njohur në botën e televizionit me nofkën “Zogu i Tiranës”.

Hetimet e mëvonshme zbuluan se Nikaj drejtonte dhe koordinonte një rrjet prostitucioni të ngritur në kryeqytet, ku dolën edhe emra modelesh dhe prezantuesesh, si dhe një estetiste që shërbente si rekrutuesja e vajzave të reja për ushtrim prostitucioni.
Estetistja ishte e para që u prangos dhe pas dëshmive të saj policia ka vënë nën mbikëqyrje dhe përgjim të arrestuarit e tjerë.
Nga përgjimet e bëra publike, vajzat merrnin në këmbim të favoreve seksuale nga 500 deri në 700 euro, ndërsa vetë estetistja 50 euro. Gjatë komunikimeve me njëri-tjetrin, anëtarët e këtij rrjeti përdorningjuhë të koduar, që nga “Bingo”, në momentin kur gjehej një klient, ose“Bëhu gati”
Në dosjen e prokurorisë, dyshohet se grupi i Hermes Nikajt shfrytëzonte vajzat edhe në lokalet e natës në Tiranë dhe si eskorta për personazhe “VIP”.
E bëmë këtë kronologji të lajmeve në mënyrë telegrafike për t’ju sjell në mënyrë të përmbledhur faktin se në Shqipëri prostitucioni po gëlon. Ai është i përhapur gjeografikisht në të gjithë vendin. Njeh të gjitha format ilegale të tij.
Është e kotë që të fshihemi pas gishtit. A mos do të ishte më mirë që ky prostitucion të legalizohej dhe të ishte kështu më i kontrollueshëm. Klishetë bajate të “degjenerimit të shoqërisë” si në fillim të viteve ’90 nuk kanë më vlerë. Jemi përballë një fakti edhe më tronditës: prostitucioni ka arritur në majat e shoqërisë dhe sponsorizohet në disa raste nga vetë shoqëria dhe mediet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




