Politike

200 të burgosur nga Anglia në Shqipëri/ Manja: Jo pa vendim gjykatash shqiptare për konvertim dënimi

Gazeta Si - Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja më anë të një videopostimi, ka sqaruar në detaje se si do të zbatohet marrëveshje e firmosur për pranimin e 200 të burgosurve nga Britania e Madhe në Shqipëri. Këta të dënuar do të vijnë të kryejnë pjesën e mbetur të dënimit në burgjet shqiptare.

Sipas tij, të burgosurve shqiptarë do t’u bëhet konvertimi i dënimit, sipas vendimeve të Gjykatave Shqiptare.

“Si pikë e parë e marrëveshjes shihet dhënia e pëlqëimit të personave të dënuar në Mbretërinë e Bashkuar që duan të vijnë për ta kryer në Shqipëri pjesën e mbetur të dënimit në institucionet tona të ekzekutimeve penale.

Në zinxhirin e institucioneve, veç ministrisë së drejtësisë dhe drejtorisë së burgjeve, pjesë është edhe gjykata shqiptare, që do të bëjë njohjen e konvertimin e vendimit të gjykatave britanike, sipas legjislacionit shqiptar. Pra, nuk do të ketë shmangie të dënimit”, - deklaron Manja.

Manja ka sqaruar edhe faktin se jo të gjithë të burgosurit do të vijnë njëherësh në Shqipëri, por do të vijnë mbi bazën e grupeve. “E treta, që është shumë e rëndësishme, ka të bëjë me faktin se këta të dënuar nuk do të vijë të gjithë njëherësh, por kondicionohet nga vendimet e gjykatave shqiptare dhe nga kapacitetet e lira në burgje.

Për efekt të vendimeve financiare, pavarësisht se gjykatat i japin në kohë të ndryshme vendimet, ne kemi rënë dakord që ato do të vijnë në grup. Autoritetet e burgjeve do të marrin pagesat për burgjet që do të vendosin. Gjithmonë në varësi të vendimeve”, - theksoi Manja.

Por ministri i Drejtësisë zbuloi se Britania e Madhe mund t’i kthejë shqiptarët edhe pa pëlqimin e tyre. “Të dënuarit që japin pëlqimin, por parashikon edhe mosdhënien e pëlqimit, përveç dënimit me burgim dhe dëbimin nga Britania e Madhe. Autoritet britanike mund ta çojnë edhe pa pëlqimin e tyre, kjo është e shprehur edhe në marrëveshjen e 2021 edhe tani”, - u shpreh Manja.

Media britanike ‘The Telegraph’ kishte raportuar se 200 të burgosur të rrezikshëm do të vijnë në Shqipëri. Britania do t’i paguajë Shqipërisë të paktën 4 milionë paund në vit për të marrë 200 nga të burgosurit më të rrezikshëm, sipas një marrëveshjeje të arritur këtë javë.

"The Telegraph" shkruan se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do t’i japë Shqipërisë 5 mln euro (4.4 mln paund) për rinovimin e burgjeve, sigurinë shtesë, pajisjet e rehabilitimit dhe trajnimin e rojeve.Kjo shifër llogaritet mbi 36.5 euro në ditë për të burgosur për të gjithë kohëzgjatjen e dënimit të tyre, që Ministria e Drejtësisë në Britani vlerëson se do të kushtojë 4 milionë paund në vit.

“Secili vend mund ta përfundojë marrëveshjen me njoftim me shkrim dy muaj përpara dhe detaje të tjera gjenden në një dokument zyrtar, të parë nga The Telegraph, që finalizon marrëveshjen që zbulohet për herë të parë”, - shkruan Telegraph.

Mes 200 të transferuarve janë 17 të burgosur të përjetshëm, përfshirë Koçi Selamaj, 36 vjeç, vrasësi i mësueses Sabina Nessa, 28 vjeç. Ai u burgos për të paktën 36 vjet për rrahjen dhe mbytjen e saj për vdekje në një park në juglindje të Londrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë