Mbi 200 revista shkencore i bëjnë thirrje Organizatës botërore të shëndetësisë dhe liderëve politikë që të pranojnë se ndryshimi i klimës dhe humbja e biodiversitetit janë një krizë e pandashme dhe duhet të trajtohen për të shmangur katastrofën. Kjo krizë e përgjithshme mjedisore është tani aq e rëndë sa sipas ekspertëve që kanë bërë thirrjen, është një emergjencë globale shëndetësore dhe duhet të shpallet si e tillë.
Më shumë se 200 revista shkencore e publikuan njëkohësisht apelin e studiuesve që kjo gjendje emergjence të shpallet para pranverës 2024, kohë kur zhvillohet edhe Asambleja e Përgjithshme e OBSH. Këtu bëjnë pjesë edhe revista të njohura si “The Lancet” apo “The British Medical Journal”.
Sipas studiuesve është gabim i rrezikshëm të vështrohen ndarazi kriza e klimës dhe ajo natyrore, thuhet në apel. Shëndeti njerëzor dëmtohet direkt si nga kriza e klimës edhe nga humbja e llojeve në natyrë.
“Kjo krizë e pandashme planetare do të ketë efekte të mëdha në shëndet, sepse mund të shkatërrojë sistemet sociale dhe ekonomike“, shkruajnë autorët.
Ndryshimi i klimës çon sipas kësaj në “zvogëlimin e tokës, strehimit, ushqimit dhe ujit.” Kjo do të ketë efekte të mëdha në shëndetin njerëzor dhe do të ashpërsojë varfërinë, “që më tej çon në emigracion masiv dhe konflikte.”
Edhe rritja e temperaturave dhe ekstremet e motit çojnë në përhapjen e sëmundjeve ngjitëse. Ndotja e mjedisit dëmton burimet ujore, ku për shkak të ndotjes së deteve do të ulet numri i peshqve si ushqim.
Reduktimi i larmisë së llojeve do e bëjë të vështirë që njerëzimi të ushqehet në mënyrë të shëndetshme, theksojnë studiuesit të cilët thonë se më shumë ndërhyrje në zonat natyrore e sjell njeriun në kontakt më të ngushtë me shumë lloje. Me këtë rritet rreziku i sëmundjeve dhe kalimit të parazitëve tek njeriu. Sipas studiuesve, sistemet ekologjike do të jenë para kolapsit dhe efekti për shëndetin do jetë katastrofik.
“Vendimmarrësit politikë duhet që të dallojnë rreziqet e kërcënimeve të rënda për shëndetin nga kriza planetare dhe avantazhet për shëndetin në rast se kriza mposhtet”, shkruajnë studiuesit.
Shpallja e një gjendjeje emergjence shëndetësore është shkalla më lartë e alarmit që OBSH mund të japë. Një gjë të tillë Organizata Botërore e Shëndetësisë e bëri gjatë pandemisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.