Ka ndodhur

200 kg kanabis në magazinë dhe stallën e bagëtive, pesë të arrestuar në Lezhë e Mirditë

Nga Gazeta 'SI' - Dy operacione antidrogë janë zhvilluar në Lezhë dhe Mirditë ku janë kapur rreth 200 kg kanabis. Pesë persona kanë rënë në pranga gjatë operacioneve ‘Procesi’ dhe “Furia” për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit dhe prodhimit të kanabisit.

Trafikantët kishin përshtatur dy magazina për kultivimin e kanabisit. Një prej tyre u zbulua nga blutë e Lezhës në fshatin Shtuf të Mirditës. Në një banesë të pabanuar, u sekuestrua 108 kilogramë kanabis. Për rastin e parë u arrestuan 4 persona, Pjetër Çurgu 27 vjeç, Artur Moli 39 vjeç, Preng Moli 71 vjeç, dhe Mark Moli 67 vjeç.

Ndërkohë, në fshatin Gjonbardhaj në një stallë bagëtish u gjetën 92 kilogramë kanabis dhe u arrestua Gjovalin Marku 46 vjeç.

"Në kuadër të operacionit “Procesi” në fshatin Shtuf, njësia administrative Kaçinarë, Mirditë, pasi gjatë kontrollit në një banesë të pabanuar u gjetën qindra bimë në proces tharje me peshë totale 108 kilogramë kanabis. Në vijim të operacionit , u arrestuan në flagrancë shtetasit: P.Ç. 27 vjeç, A.M, 39 vjeç, P.M, 71 vjeç, dhe M.M, 67 vjeç, banues në Balldre, Lezhë, Kaçinar, Mirditë, të dyshuar si autorë të kultivimit dhe prodhimit të kanabisit që u gjet në proces tharjeje.

Ndërsa në kuadër të operacionit “Furia” në fshatin Gjonbardhaj, Kashnjet, gjatë kontrollit të ushtruar në një stallë bagëtish, janë gjetur dhe sekuestruar rreth 92 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Gj. M. 46 vjeç, banues në Shkodër", njoftoi policia.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këto dy raste të veprimtarisë kriminale të kultivimit dhe prodhimit të kanabisit Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë