Politike

20 vjetori i themelimit të partisë, Meta mesazh për Kryemadhin nga Liqeni: E nisi si idealiste përfundoi si patronazhiste

Nga Liqeni i Tiranës, i veshur sport, Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka përcjellë një mesazh për 20 vjetorin e themelimit të kësaj force politike.

Meta e nisi mesazhin me kontributin që ka dhënë PL (dikur LSI) qysh në fillimet e saj për të kaluar më pas me mesazhe konkrete që shigjetuan edhe ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi.  

“...Një keqardhje për të gjithë ata që e nisën si idealistë e idealiste dhe përfunduan si patronazhistë dhe patronazhiste. Dhjetëra bien (blihen), mijëra ngrihen! Unë personalisht jam 20 herë më i ri se 20 vite më parë dhe 20 herë më i fortë se 20 vite më parë.

Konventa historike e 27 Prillit ishte një moment madhor për t'u ndarë njëherë e përgjithmonë me nepotizmin, me korrupsionin, imoralitetin dhe për të vendosur njëherë e përgjithmonë integritetin, transparencën dhe meritokracinë si shtyllat që do të jenë garante për jetëgjatësinë dhe suksesin e Partisë së Lirisë shumë shpejt dhe për dekadat që do të vijnë!

Shqipëria me 5 Prioritetet tona do të bëhet me 4 milionë shqiptarë plus shumë shpejt dhe për këtë duhet të kontribuojmë të gjithë”, e mbyll Meta mesazhin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë