Futboll

20 vjet nga dëmtimi i “Fenomenit”, që tronditi karrierën e brazilianit

I intervistuar nga Forbes Brasil, presidenti aktual i Real Valladolid, Ronaldo, ka kujtuar periudhën e tmerrshme të 15 prillit 2000, kur në fushën e Olimpico në Rome pësoi një dëmtim të rëndë në tendinën e gjurit të djathtë në finalen e Kupës kundër Lacios, duke i lënë pa frymë tifozët e Inter.

“Në sezonin tim të parë tek Inter nisa të vuaj në mënyrë kronike nga tendinat, pastaj iu nënshtrova operacionit dhe në kthimin tim në fushë u dëmtova – kujton Ronaldo -. Isha i dëshpëruar: mendja më punonte me shpejtësi, mendoja se e ardhmja ime ishte në rrezik të madh. Isha shumë i ri, kisha luftuar për tu kthyer e pastaj pësova atë dëmtim pa precedentë në botën e futbollit: nuk e dija nëse do të kthehesha”, u shpreh Fenomeni.

Lidhur me periudhën së rikuperimit, Ronaldo tregon: “Në muajin e tetë shkova tek një nga specialistët më të mirë të Orlandos, i cili më tha se duhet të përfundoja përsëri në thikë për të shpresuar të kisha një jetë normale. Pas dy vjetësh u ktheva të luaja dhe për një atlet profesionist është një kohë shumë e gjatë. Kur kthehesh në stërvitje, vijnë problemet e para me muskujt. Pavarësisht kësaj, kisha besim tek mjeku im dhe tek gjuri, kisha shumë forcë. Nuk e dija forcën që kisha brenda vetes. Ai moment është dramatik edhe ta tregosh, jo më ta jetosh… Punova 2 vite vetëm që të isha në këtë mbrëmje. Zoti e ka rezervuar këtë ditë për mua. Por kam vuajtur shumë. Ishte një moment shumë e vështirë. Babai më ndihmoi, por edhe lindja e djalit tim më dha forcë për të vazhduar. Kurrë nuk e mendova ta lija futbollin, por e dija që do të ishte e vështirë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë