Lojëra me Dore

20 vitet e ‘Masters 1000’ të Madridit, turneu i numrave 1 të tenisit

Gazeta Si – Turneu i ‘Caja Magica’, që luhet këtë javë, është më i riu mes atyre 9 që përbëjnë cirkuitin me 1000 pikë. Përveç Nalbandian dhe Zverev, e kanë fituar vetëm ‘mbretërit’ e klasifikimit.

Nga 9 turne që përbëjnë ‘Masters 1000’, Madrid është i fundit që është krijuar dhe këtë vit mbush 20 vjet nga edicioni i parë, i zhvilluar në tetor 2002, kur u fut në kalendar në vend të Shtutgartit. Të gjithë ‘Masters 1000’ e tjerë kanë jetë më të gjatë: ‘Indian Wells’ u krijua në 1974-ën, ‘Miami’ lindi në 1985-ën, ‘Montecarlo’ në 1897-ën, Roma në 1930-ën, ‘Open Canada’ në 1881-shin, ‘Cincinnati’ në 1899-ën, ‘Shanghai’ në 1996-ën dhe ‘Parigi-Bercy’ në 1986-ën.

Nëse Madridi ka pasur rregullisht një turne në Grand Prix nga 1971-shi në 1994-ën (luhej në pranverë), historia e futjes së këtij turneu në ‘Masters 1000’ i dedikohet një intuite gjeniale të Ion Tiriac. Nga 1990-a në 19940-ën, ‘Masters 1000’ i parë vjeshtor ishte ai i Stokholmit, që vendosi t’ia shiste statusin e tij Anversës, i lindur si turneu i diamanteve në 1982-shin (kush fitonte 3 edicione në 5 vjet, fitonte një raketë ari dhe me diamante), por u bë zyrtarisht një provë Atp në 1992-ën.

Mërrei, një nga fituesit e turneut të Madridit. Gazeta Si, 2 maj 2022

Drejtuesit e Anversës nuk mundën ta kryenin gjithë pagesën te pronarët e Stokholmit dhe në këtë pikë hyri në lojë Ion Tiriac, që garantoi paratë e nevojshme, duke pretenduar nga Atp që turneu i tij i mbyllur i vjeshtës, gjithmonë me seli në Shtutgart, të bëhej një ‘Masters 1000’. U arrit akordi dhe në pritje të ndërtimit të stadiumit të ri, Tiriac u vendos në turneun e 1995-ës në Esen, për t’u kthyer pastaj në Frankfurt.
Në 2001-shin Gjermania nuk ishte më qendra tenistike më e rëndësishme e botës. Manjati rumun po vuante të gjente sponsorë dhe vendosi të transferohej në Madrid. Kështu Madridi, duke nisur nga 2002-i, u bë ‘Masters 1000’ i parë i vjeshtës. Në 2008-ën, në erën Nadal, Tiriac bëri një tjetër lëvizje. Atp i hoqi Hamburgut statusin e ‘Masters 1000’ dhe Tiriac e spostoi turneun nga tetori në maj, diçka e favorshme për investitorët e pasur kinezë, që e bënë atë një turne prej më shumë se 5 milionë dollarësh.

Nga lindja e tij, në Madrid kanë fituar vetëm lojtarë që kanë pasur, para ose pas turneut, statusin e numrit 1 në botë, me përjashtim të David Nalbandian, kampion në 2007-ën dhe Aleksander Zverev në 2018-ën dhe 2021-shin. Ka fituar fillimisht Andre Agasi, të cilit nuk iu desh të zbriste në fushë pas dëmtimit të Jiri Novak.

Më pas kanë fituar Huan Karlos Ferrero dhe Marat Safin. Në 2005-ën ishte një finale spektakolare mes Rafa Nadal dhe Ivan Ljubiçiç. Rafa ka fituar në Madrid edhe në 2010-ën ndaj Federer, në 2013ë-n ndaj Vavrinkës, në 2014-ën ndaj Nishikorit dhe në 2017-ën ndaj Thiem. Fitorja e parë e Federer ishte në 2006-ën ndaj Fernando Gonzalez, më pas në 2009-ën ndaj Nadal dhe 2012-ën ndaj Berdish. Tri fitore dhe për Gjokoviç: në 2011-ën ndaj Nadal, në 2016-ën ndaj Mërrei dhe në 2019-ën ndaj Tsitsipas.

Fitorja më e jashtëzakonshme ishte ajo e David Nalbandian në 2007-ën, me argjentinasin që pati një ecuri të pabesueshme, duke eliminuar Klement, Berdish, Del Potro, Nadal, Gjokoviç dhe Federer.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë