Politike

20 shkurti, Basha: Do kërkojmë hapjen e dosjeve të KGB-së dhe UDB-së, të zbulohen emrat e spiunëve

Në ditën e rrëzimit të shtatores së diktatorit Enver Hoxha, Forumi për Liri dhe Demokraci pranë Partisë Demokratike, organizoi një aktivitet ku fjalën kryesore e mbajti Lulzim Basha.

“20 shkurti është një datë me një domethënie të madhe për shumicën dërrmuese të shqiptarëve. Është e tillë dhe për Partinë Demokratike, ndonëse sjellja jonë si formacion politik në raport me 20 shkurtin ndryshon në varësi të një faktori të rëndësishëm, por edhe domethënës. Ndryshe sillet PD me 20 shkurtin kur është në pushtet dhe ndryshe kur është në opozitë. Pothuajse pa përjashtim kur Partia Demokratike është në opozitë, e konsideron 20 shkurtin një ditë për të protestuar, ndërsa në qeverisje mjaftohemi me disa fjalë përkujtimi dhe nderimi. Në fakt 20 shkurti ka një simbolikë të madhe që shkon përtej Partisë Demokratike, një simbolikë e cila pret të zbërthehet akoma nga studiuesit të huaj, pse jo dhe shqiptarë. Ndaj dhe e mirëpres dhe inkurajoj këtë aktivitet dhe të tillë si ai për të filluar për ta zhveshur dhe çmitizuar 20 shkurtin dhe datat të ngjashme me 20 shkurtin dhe për t’i dhënë vendin që I takon objektivisht në histori. Jo vendi që i caktojnë interesa të momentit politik...”, tha Basha.

Ai tha se Partia Demokratike do të kërkojë hapjen e dosjeve për zbulimin e agjentëve KGB-së sovjetike dhe UDB-së jugosllave.

Basha u bëri thirrje institucioneve, përfshi Autoritetin e Dosjeve, që të hapen dosjet, pasi sipas tij është jetike jo vetëm për transparencën, por edhe për sigurinë kombëtare, nisur nga zhvillimet në rajon dhe më gjerë.

“Në periudhën që po përjetojmë, të ringjalljes së rivaliteteve të vjetra gjeostrategjike, është jetike që Autoriteti i Dosjeve në bashkëpunim me institucionet ligjzbatuese dhe të zbulimit, të ekspozojnë agjenturën e KGB-së dhe UDB. Ekspozimi i agjenturës jugosllave dhe sovjetike, nuk është një hap që duhet të ndërmerret në funksion të transparencës, por edhe në funksion të sigurisë kombëtare”. Kreu i PD thotë se do të dorëzojnë kërkesën për ekspozimin e emrave që kanë qenë pjesë e agjenturës jugosllave dhe sovjetike në Shqipëri. Basha thotë se mbajtja e fshehtë e këtyre emrave s’ka pasur asnjë qëllim tjetër veçse sabotimit dhe eliminimit të interesave kombëtare shqiptare


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë