Nga Gazeta 'SI'- Tensionet dhe përplasjet në Kuvend kanë vijuar edhe pas rinisjes së seancës plenare.
Ndërsa po fliste deputeti socialist Petro Koçi, demokrati Flamur Noka, i ka ndaluar fjalën, duke i hequr mikrofonin.
Pas këtij veprimi Spiropali ka njoftuar përjashtimin nga Kuvendi të Flamur Nokës, si dhe ka mbyllur seancën e sotme plenare. Noka më herët lëshoi objekte në drejtim të kryetares së Kuvendit, Spiropalit.
Protestë më e madhe u bë në hyrje të Kuvendit, ku deputetët e PD-së morën karriget e tyre dhe i dogjën si shenjë revolte ndaj arrestimit të kolegut të tyre, Ervin Salianji.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi u shpreh para kamerave se kjo protestë nuk bëhet për karriget e tyre.
"Rama ia ka vendosur zjarrin Shqipërisë. Kërkon të uzurpojë karriget e deputetëve të opozitës. Nuk jemi këtu për karriget tona. Jemi këtu për të mbrojtur interesin publik. Të vërtetës nuk i mbyllet dot goja", tha Bardhi.
Pas kaosit të shkaktuar nga demokratët, PS kërkoi masë disiplinore ndaj 24 deputetëve: Gazmend Bardhi, Flamur Noka, Bledion Nallbati, Edi Paloka, Saimir Korreshi, Lefter Geshtenja, Luan Baçi, Dashnor Sula, Agron Gjekmarkaj, Dhurata Çupi, Xhelal Mziu, Ina Zhupa, Zheni Gjergji, Helidon Bushati, Lindita Metaliaj, Ramadan Lika, Asllan Dogjani, Qani Xhafa, Flamur Hoxha, Isuf Çela, Kastriot Piroli, Lodovik Hasani, Kasem Mahmutaj, Edmond Spaho.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.