Zbardhen detaje të reja nga kanabisi i sekuestruar (2.6 ton) në Mal të Zi, i cili po transportohej me një kamion.
“Pas hetimeve të përbashkëta dhe një pune intensive hetimore të bërë nga strukturat e Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër, duke u përfshirë disa Drejtori Vendore, u bë e mundur zbardhja e kësaj ngjarjeje, identifikimi dhe lokalizimi i dy prej personave të përfshirë në tentativën për trafikimin e sasisë së marijuanës të kapur në pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit (Bozhaj)”, thuhet në njoftimin e polcisë.
Policia thotë se në pranga kanë rënë Arlind Tabaku dhe Përparim Shurdhi, banues në Lushnjë, si dhe u shpall në kërkim një shtetas tjetër.
“Nga veprimet e para rezultoi se kamioni me drejtues shtetasin E. C. ishte ngarkuar në magazinën në pronësi të shtetasit P. Sh., i ndihmuar nga shtetasi A. T. dhe personi i shpallur në kërkim”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar prova të shumta që do të çojnë në dokumentimin dhe zbardhjen e plotë me prova ligjore të kësaj veprimtarie kriminale.
Ndërkohë, vijon puna në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës dhe homologët, për zbardhjen e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në të.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




