Filma

192 filma nga e gjitha bota në festivalin e kinemasë në Tiranë, Agron Domi tregon risitë e edicionit të 21 të TIFF

Me filmin “Kaymak” nga regjisori maqedonas, Milcho Manchevski nisi edicioni i 21-të i Tirana International Film Festival (TIFF) një ndër eventet më të rëndësishme kinematografike, që zhvillohet në Shqipëri, jo vetëm për traditën (që në vitin 2003), por edhe për numrin e madh të aplikimeve dhe zbulimeve interesante vit pas viti.

“Kaymak” sjell historinë e dy çifteve që përfshihen në vorbullën e marrëdhënieve erotike jokonvencionale. Nën eksplorimin e kërkimit të përjetshëm të dashurisë, “Kaymak” trajton çështje më të errëta sociale si prindërimi me nënë surrogate, tradhtia, roli i gruas në familje dhe shoqëri, trafikimi i qenieve njerëzore e liria seksuale.

Prej vitit 2018, tashmë filmit fitues me metrazh të shkurtër i jepet shansi të garojë automatikisht në Oscar.

Themeluesi dhe njëkohësisht drejtori artistik i festivalit, Agron Domi pohon për Gazetën “Si” se në këtë edicion të 21-të të TIFF, filmat do të shfaqen në sallën e Kinema “Millenium”, në sallën e Qendrës Kulturore “Agimi”, (ish Kinema “Agimi”), si edhe në sallën “Tonin Harapi” të Liceut Artistik “Jordan Misja”, ku projektohet kategoria “Kids”.

“Janë të shumtë ndjekësit e këtij festivali. Pjesëmarrja e lartë në këtë kompeticion filmi lidhet me edhe me korrektesën në procesin e selektimit”.

Në festivalin e këtij viti (nga 23-29 shtatori) nga 112 vende të botës, janë përzgjedhur 192 filma që do të konkurrojnë përpara një jurie profesionale që është prezente në Tiranë.

“Nga 3500 filma dhe 77 skenarë, që aplikuan këtë vit nga 112 vende të botës, janë përzgjedhur 192 filma nga të cilët 158 filma të shkurtër dhe 34 filma të metrazhit të gjatë dhe 10 skenarë. Të gjithë filmat e përzgjedhur janë premiera Kombëtare, por janë edhe shumë premiera botërore, internacionale, europiane dhe rajonale”, thotë drejtuesi i TIFF për Gazetën “Si”.

Drejtori artistik i festivalit, Agron Domi

Edicioni i këtij viti vjen me sloganin “Size doesn’t matter”, (përmasa nuk ka rëndësi).

“Na kanë thënë se është provokues, por sidoqoftë, çdo interpretim e perceptim, është personal. S’ka rëndësi përmasa, sa i madh është filmi, sa i fuqishëm është shteti prodhues, apo shtetet bashkëprodhuese; s’ka rëndësi çfarë metrazhi ka filmi, i shkurtër apo i gjatë, e kështu me radhë”, thotë ndër të tjera producenti Agron Domi.

Janë të shumtë regjisorët me famë që do të jenë pjesë e këtij edicioni dhe do të mbajnë masterclase për kineastët e rinj.

“Janë disa regjisorë të famshëm, por ata që do të mbajnë edhe master class gjatë ditëve të Festivalit janë: Milcho Manchevski, Andreas Dresen, Gentian Koçi, Sangeeta Datta: Satyajit Ray”.

Këtë vit në këtë kompeticion do të bëhen pjesë edhe programe të reja si seksioni RetrospectTIFF, Focus, Swedish stories ku spikat “I Am Zlatan” me aktorin shqiptar Granit Rushiti në rolin kryesor të futbollistit Ibrahimovic dhe seksioni Screenplay për skenarin më të mirë.

“Do të jenë prezente seksionet si RetrospectTIFF, një homazh për Satyajit Ray i konsideruar gjerësisht si një nga kineastët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, i vlerësuar me Academy® Honorary Aëard, 1992, Career Golden Lion Venice, 1982. Seksioni FOCUS me Andreas Dresen, fitues në Festivalin e Filmit në Kanë 2011 Çmimin Un Certain Regard. Program me 4 filma nga filmografia e regjisorit gjerman, i cili do t’i prezantojë filmat e tij në kinema e do të mbajë edhe një Masterclass. Seksioni SWEDISH Stories – me 3 nga filmat më të suksesshëm suedezë të dy viteve të fundit, ku spikat ‘I Am Zlatan’ me aktorin shqiptar Granit Rushiti në rolin kryesor të futbollistit Ibrahimovic. Seksioni SCREENPLAY ContesTIFF synon të vlerësojë nga prodhuesit dhe distributorët tanë partnerë skenarin më të mirë dhe të mundshëm për t’u prodhuar prej tyre me shanset më të mëdha për t'u shpërndarë me sukses në festivalet më të njohura ndërkombëtare të filmave të shkurtër”, thotë Domi për Gazetën “Si”, ndërsa shton se “partnerët tanë kanë nominuar 10 skenarë për Pitching dhe në Ceremoninë e Ndarjes së Çmimeve, 29 shtator 2023 do t’i shpërblejnë skenarët fitues me Distribution Award dhe me mundësinë e një nënshkrimit të një marrëveshjeje prodhimi ose shpërndarjeje me fituesit”.

Tirana International Film Festival më 30 prill të vitit 2022 u përzgjodh edhe si një nga 29 festivalet më të mira europiane të filmit, përfshirë Berlinin, Kanën, Venecian, Locarnon, dhe të tjerë, për të nominuar Filmin më të mirë të shkurtër europian për Çmimet e Filmit Evropian (EFA).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë