Biznes

174 mijë vizitorë erdhën në Shqipëri gjatë qershorit, shtohet interesi për kamping

Nga Gazeta “SI” – Në muajin qershor 2022, në Shqipëri erdhën rreth 26% më shumë vizitorë se në qershorin 2021, sipas shfrytëzimit të strukturave akomoduese.

Në këto struktura, vizitorët rezidentë, që përbëjnë 40% të totalit, u shtuan me 15% dhe jo-rezidentët, që përbëjnë 60%, u shtuan me 34%, në raport vjetor. Në shifra, 174.143 vizitorë erdhën në Shqipëri gjatë qershorit 2022, nga 138.766 që ishin qershorin e kaluar.

Numri i netë qëndrimeve gjithsej është rritur me 38%, në krahasim me qershorin e shkuar. Netë qëndrimi i rezidentëve është rritur me 12% dhe i atyre jo-rezidentë me 55%.

Rreth 97 mijë vizitorë preferuan hotelet dhe akomodime të ngjashme, por rritjen më të madhe e ka pasur, akomodimi në hapësira kampingu, me 4 herë nga qershori i shkuar.

Rajoni më i vizituar i Shqipërisë gjatë qershorit ishte ai qendror, me mbi 45 mijë vizitorë, ndjekur nga ai verior me mbi 31 mijë vizitorë dhe në fund rajoni jugor me më shumë se 25 mijë vizitorë. Në total, mbi 67 mijë vizitorë kanë qëndruar në zonat bregdetare dhe pjesa tjetër në zona larg bregdetit.  

Vizitorët nga Kosova, zinin pjesën më të madhe të totalit, me rreth 17%, ndjekur nga polakët me 7% dhe italianët me 5.2%.

Sipas Instat, normat neto të shfrytëzimit, të dhomave dhe të shtretërve, janë dy tregues të cilët masin përqindjen e shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese, dhoma e shtretër të disponueshëm për vizitorë. Gjatë këtij muaji, norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 23%, kundrejt 19% që ishte në muajin qershor 2021.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë