Nga Gazeta ‘SI’ – 23% e familjeve shqiptare janë tërësisht të varura nga dërgesat e parave nga jashtë, raporton Banka Botërore.
Sipas BB janë 174 mijë familje në Shqipëri që presin remitanca për të plotësuar nevojat e tyre bazike si ushqimi, mjekimi etj. Këto dërgesa kanë ulur varfërinë në Shqipëri me 8%.
“Paratë e dërguara nga jashtë konsiderohen të kenë kontribuar në uljen e varfërisë me 8%, veçanërisht për familjet që varen tërësisht nga këto transferta, duke zbutur kështu deri diku natyrën kritike të peizazhit social dhe ekonomik të Shqipërisë” thuhet në raport.
Në total, BB tregon se gjatë 2023-shit, në Shqipëri u futën 1.9 mld euro si dërgesa emigrantësh, mesatarisht 2 mijë euro për çdo familje rezidente. Kjo shifër është 971 milionë euro ose 104.5 për qind më e lartë nga ajo që deklaron Banka e Shqipërisë.
Banka prek dhe një problem tjetër lidhur me remitancat, kostot e dërgesave. Për të transferuar 200 euro në Shqipëri, kosto është 8.7%, 3 herë më shumë se në vendet e tjera. Kjo ka bërë së 37% e remitancave të dërgohen fizikisht në cash.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.