Qyteti i Gjirokastrës, i cili po tërheq gjithnjë e më shumë një numër të lartë vizitorësh vendas e të huaj, sot feston 17-vjetorin e hyrjes në UNESCO. Sipas ministres së Kulturës, Elva Margariti, “ky muze i gjallë nën qiell të hapur nuk është më vetëm thesar yni, por i gjithë botës”.
Gjirokastra u pranua në UNESCO në korrik të 2005-ës përmes një procesi shumë mikpritës dhe dashamirës nga të gjitha vendet anëtare të kësaj organizate.
Çdo fundjavë Gjirokastra mbushet plot vizitorë vendas e turistë të huaj, ku qendra muzeale mbetet si përherë destinacioni fillestar, pasi pothuajse të gjithë e nisin vizitën nga kalaja e qytetit. Gjirokastra është një qytet që përbën dëshmi unike të një tradite kulturore të jetës së zhvilluar në shekujt XIV-XIX.
Në Gjirokastër veçohet tipi i shtëpisë së fortifikuar me çati me pllaka guri, në harmoni perfekte me peizazhin shkëmbor të territorit ku ajo ngrihet. Banesat, një tip i veçantë në tipologjinë e banesës shqiptare dhe asaj ballkanase të mesjetës së vonë, luajnë një rol të rëndësishëm në fizionominë e qytetit.
Ajo ka 56 banesa monumente kulture të kategorisë së parë, 502 të kategorisë së dytë dhe shumë komplekse të tjera me vlera historike, arkitektonike dhe kulturore.
Qyteti ruan të paprekur skemën urbanistike, ku çdo shtëpi ka karakteristika të veçanta që lidhen me terrenin mbi të cilin është ndërtuar. Sipas kategorive të monumenteve kulturore, në qytet dallohen kalaja, Pazari, ndërtimet e kultit dhe shtëpitë e banimit.
Kalaja, e ndërtuar në shek. XIII, përbën zanafillën e qytetit, ndërsa pazari (shek. XVII) i vendosur në qendër të qytetit ruan mirë karakteristikat e një pazari tradicional, me ndërtesa të njëpasnjëshme të shtruara me kalldrëme gurësh të zinj./ ATA
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.