Shendet

17-vjeçarja me meningit humbi jetën brenda pak orëve, nën monitorim 100 persona kontakti

Pas humbjes së jetës së 17-vjeçares nga Durrësi e prekur nga meningiti bakterial, autoritetet shëndetësore flasin për rastin por edhe për hetimin epidemiologjik.

Eugena Tomini, drejtoreshë e Institutit të Shëndetit Publik tregon se 17-vjeçarja ishte infektuar nga një formë e rëndë e meningitit i cili i mori jetën brenda disa orëve.

“Rasti në fjalë ka shfaqur simptoma të menjëhershme dhe të rrufeshme dhe në pak orë, nga temperatura e lartë simptomat kanë shkuar në dhimbje në gjithë trupin. Bakteri që qëndron në hundë dhe fyt transmetohet nëpërmjet një kontakti të ngushtë dhe të zgjatur”, ka thënë Tomini.

Afro 100 persona kontakti, familjarë, shokë klase, mësues, personel mjekësor në Durrës e Tiranë  janë në hetim epidemiologjik. Të gjithë i janë nënshtruar testimit, por edhe mjekimit fillestar, ndërsa do të monitorohen për 10 ditët në vijim, periudha e inkubacionit të meningitit.

Vaksina kundër meningitit që parandalon pasojat e rënda të sëmundjes nuk është pjesë e kalendarit të detyrueshëm të vaksinimit.

Edhe pse mund të gjendet në tregun farmaceutik, Eugena Tomini thotë se rastet e meningitit bakterial numërohen më gishtat e dorës dhe nuk ka vend për panik e as nuk rekomandohet që të nisë vaksinimi masiv.

Edhe pse sporadike, infektime nga meningiti bakterial dhe humbje te jetës janë shënuar thuajse çdo vit në vendin tonë.

Meningiti bakterial transmetohet përmes spërklave të pështymës nga kontaktet e afërta apo sendet e kontaminuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë