Ngjarje

17 vite nga pakti i Ohrit, ku janë sot shqiptarët e Maqedonisë?

Në korrik të 2001, ndërkombëtarët dolën me një draft-marrëveshje për të shuar konfliktin shqiptaro-maqedonas që kishte shpërthyer në Maqedoni atë vit. Palët ranë dakort me termat e propozuar gjatë një takimi 10-ditor në Ohër dhe marrëveshja mori emrin e këtij qyteti. Firmosja dhe hyrja në fuqi zyrtarisht e paktit u bë më 13 gusht.

Ajo që ra në sy në ato ditë ishte presioni i fuqishëm i Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara për të mos përshkallëzuar më tej një tjetër konflikt në Ballkan, kur sapo ishte mbyllur ai në Kosovë. Në këto kushte, faktori politik shqiptar lëshoi nga kërkesat fillestare. Gjatë zhvillimit të negociatave në Ohër nuk doli kërkesa për ndarje territoriale, por për barazi të plotë etnike, që ishte në harmoni me parimet perëndimore. Në fakt kërkohej që realiteti multietnik i shoqërisë maqedonase të reflektohej në Kushtetutë dhe ligjet organike të vendit.

Mes pikave të parashikuara ishte ajo e ngritjes së gjuhës shqipe në gjuhë zyrtare, decentralizimi i pushtetit dhe përfaqësimi në administratë në përpjestim me numrin e tyre.

Për vite me radhë shumica maqedonase zvarriti zbatimin e plotë të marrëveshjes, duke përfituar edhe nga përçarja e faktorit politik shqiptar në Shkup. Deri para 2 vitesh, megjithëse shqiptarët, të paktën zyrtarisht përbëjnë më shumë se 25 për qind të popullsisë së vendit, në administratë përfaqësoheshin shumë herë më poshtë.

Ashtu si në të gjitha zgjedhjet e kësaj dekade në Maqedoni, edhe në zgjedhjet e fundit shqiptarët ishin përcaktues në qeverisjen e vendit. BDI, që deri para këtyre zgjedhjeve kishte bashkëqeverisur me Nikolla Gruevskin u tërhoq nga ky koalicion dhe u vendos në krah të Zoran Zaev. Me Zaev dhe LSDM-në u rreshtuan edhe faktorë të tjerë të rëndësishëm shqiptarë në këto zgjedhje. Gjatë fushatës, Zaev premtoi zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit dhe ndarje të barabartë të investimeve, pavarësisht përkatësisë etnike. Këto premtime i dhanë Zoran Zaev disa mijëra vota nga shqiptarët në Maqedoni, por edhe deputetë shqiptarë nën siglën e LSDM-së.

Zgjedhjet u fituan nga Zaev dhe ai arriti që pas ditësh të lodhshme negociatash në fund të siguronte mazhorancën e nevojshme me shqiptarët për të formuar qeverinë e re. Pjesë e paktit ishte edhe zgjedhja e kryetarit të Kuvendit nga radhët e shqiptarëve, një e drejtë që buronte edhe nga Marrëveshja e Ohrit në kuadër të përfaqësimit cilësor në administratë.

Por, edhe pse në kohë paqeje dhe megjithëse kishte votat e mazhorancës së dalë nga zgjedhjet, ky proces u gjakos nga ekstremistët e nxitur nga VMRO-DPMNE të Nikolla Gruevskit. Zijadin Sela ishte deputeti i shqiptarëve që u dhunua më ashpër nga ekstremistët që hynë në sallën e Kuvendit, të cilët nuk kursyen as Kryeministrin e sapozgjedhur, Zoran Zaev.

“Nga ajo që e dimë deri më tani është se gjithsej 19 për qind është përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet publike, që do të thotë është më e vogël nga numri total. Ne do të vazhdojmë të punojmë më tej, edhe me bashkësitë tjera etnike. Të gjithë qytetarët vendin e tyre ta ndjejnë në të vërtetë si të tyre, si në aspektin e të drejtave, po ashtu dhe përgjegjësive”, tha në 17-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev.

Përveç përfaqësimit në administratë një tjetër çështje është edhe shqipja si gjuhë zyrtare. Në Kuvend ligji që e ngre shqipen në statusin e zyrtares ka kaluar, por është sfiduar nga Presidenti Gjorgje Ivanov që e mban të bllokuar atë edhe pse është votuar dy herë në parlament, ashtu si edhe marrëveshja me Greqinë për çështjen e emrit.

Edhe në ndarjen e investimeve dhe fondeve qeveritare ka një përmirësim, por sërish vite të tëra neglishencë dhe harresë nga qeveria qendrore në Shkup për rajonet shqiptare kanë bërë që nevojat për ndërhyrje të jenë të mëdha.

Nga VMRO-DPMNE druhen ende t’i referohen në emër marrëveshjes dhe termave të përcaktuara prej saj. Kryetari i kësaj partie, Hristjan Mickovski përdori një gjuhë diplomatike për t’iu shmangur përgjegjësive historike që ka partia e tij në implementimin e paktit, si edhe paraardhësi i tij Nikolla Gruevski.

“Sot qytetarët kanë urgjente reformën në ekonomi, reformën në arsim e shëndetësi, reforma që do të na ofrojnë shërbime cilësore dhe dhe jo tendera të fituar përmes lidhjeve familjare dhe shoqërore”, deklaroi Hristijan Mickoski.

Por, shqiptarët dhe maqedonasit kanë një sfidë të përbashkët, shumë herë më të madhe e cila mund të vendosë edhe fatet e vendit. Bëhet fjalë për referendumin e fundit të shtatorit, ku do të vendoset për çështjen e emrit. Opozita maqedonase deri më tani ka bërë thirrje për bojkot, ndërkohë që LSDM dhe pala shqiptare kërkojnë miratimin e emrit për t’i hapur rrugë anëtarësimit të vendit në NATO dhe negociatave me Bashkimin Europian, që kushtëzohen nga Greqia pikërisht për këtë çështje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë