Kosova

Kosova 16 vite shtet, Kurti: Mirënjohje aleatëve për rrugëtimin tonë

Nga Gazeta 'Si'-16 vite më parë, në një sallë të mbushur plot, ku e gjithë vëmendja e botës ishte drejtuar aty, Kosova u shpall shtet i pavarur. Hashim Thaçi, atë ditë Kryeministër, sot në Hagë i akuzuar për krime lufte, nënshkroi deklaratën e pavarësisë e cila shpallte Kosovën, shtet të pavarur dhe demokratik.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.

Shënimi i 16-vjetorit të pavarësisë së Kosovës nisi me mbledhjen e Qeverisë së Kosovës. Në fjalën e tij, kryeministri Albin Kurti deklaroi se "vijmë nga një betejë çlirimtare që rrënjët i ka nga Rilindja shqiptare."

“I mbijetuam gjenocidit të fundit të shekullit 20, dhe pas luftës shkatërruese ndërtuam shtëpitë tona dhe me ndihmën e aleatëve ndërtuam shtëpinë tonë të përbashkët Republikën e Kosovës”, deklaroi Kurti.

Ai shtoi se Kosova do të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve te saj, jo vetëm e shqiptarëve, por edhe të gjithë komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Kurti tha se Kosova po bën hap të drejtë në rrugën e saj evropiane. Integriemt euroatlantike kanë ylli ynë polar në rrugën ku po shkojmë.

Sipas tij, vizioni i vendit është i qartë dhe se rreshtohemi me kombet paqeruajtease.

Ai tha se teksa festojmë përvjetorin e pavarësisë kujtojmë çdo jetë të humbur dhe gjakun e derdhur për çlirimin dhe pavarësinë e vendit.

“U jemi falënderuar atyre që kanë kontribuar në luftën e UCK dhe në pavarësinë e vendit. Mirënjohje aleatëve për rrugëtimin tonë”, vijoi Kurti.

Pas mbledhjes së Qeverisë, Kurti, së bashku me presidenten Vjosa Osmani, dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca morën pjesë në ngritjen e flamurit para ndërtesës së Qeverisë.

E para e shtetit tha se në këto 16 vjet, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm përpara, teksa kujtoi dhe nderoi të gjithë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë