Shendet

16 mld lekë për spitalet shtetërore dhe 1 mld për privatet. Rriten kostot e shtetit për pacientët. Psikiatria më e shtrenjta

Nga Gazeta 'SI' - Në një analizë të ministrisë së Shëndetësisë për periudhën janar-gusht 2024, rezulton se një pacient i psikiatrisë i ka kushtuar buxhetit të shtetit 693.238 lekë. Vlera është dyfish më e lartë se në 4 muajt e parë të vitit. MSH e justifikon këtë kosto me numrin e shtuar të punonjësve dhe nevojës për të mbushur fondin e pagave. Në total, janë trajtuar 824 pacientë kundrejt 924 të parashikuar.

Me kosto të larta për buxhetin janë edhe pacientët e kardiologjisë, 74.993 lekë për pacientë, ndërkohë që katër muajt e parë kjo vlerë ishte 20.7 mijë lekë. Spitalet kanë parashikuar trajtimin e 9.720 pacientëve, por kanë trajtuar vetëm 6.419.

Seancat e dializës janë po ashtu të kushtueshme, 10.652 lekë, por vlera e trajtimit nuk ndryshon. Nga 225.000 të parashikuar, janë kryer vetëm 136.986 seanca.

 Pacientët me probleme të syve kanë kosto prej 4.646, ndërsa ato që trajtohen me radioterapi me kosto prej 50 lekësh. Dhe në këto dy shërbime, numri i trajtimeve reale ka qenë shumë më i ulët se parashikimi.

Kosto i ekzaminimit laboratorik llogaritet 337 lekë dhe janë kryer 3 mln të tilla nga 4.4 mln të parashikuara.

Nga ana tjetër, MSH raporton se janë paguar 1 mld lekë për spitalet private, rreth 63% e parashikimit vjetor, për disa paketa shërbimi.

Me listën e barmave të rimbursueshme për muajt janar-prill 2024 sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë janë trajtuar 361.498 pacientë, me një kosto prej 6.763 lekë për pacientë dhe kosto totale 8.2 mld lekë.

Spitalet publike janë financuar me mbi 16 mld lekë, ose 66% e planit vjetor. Numri i pacientëve të trajtuar në shërbimet me shtretër gjatë 8 mujorit 2024 rezulton 215.884 pacientë, ose 6.7% më shumë nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Gjatë këtij viti ka vijuar financimi tërësisht nga buxheti i miratuar për shërbimin spitalor për spitalet Memorial Fier dhe Rajonal Durrës, sipas përcaktimeve të Vendimit të Këshillit të Ministrave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë