Politike

15 vjet LSI, partia që ndryshoi sistemet e qeverisjes

Lëvizja Socialiste për Integrim ka 15-vjetorin e krijimit si forcë politike, e cila në këto afro 30 vite ka pasur më shumë ndikim sa i përket vendimeve të rëndësishme të jetës politike shqiptare. Kjo parti e formuar si një fraksion i së majtës pas shkëputja nga Partia Socialiste e Ilir Metës, tashmë ndodhet në opozitë, pas 8 viteve në pushtet, me PD dhe më pas me PS. Gazeta Si ka mësuar se për këtë festë të veçantë LSI i ka bërë ftesë zyrtarisht Partisë Socialiste, e kjo jo nominalisht për kryesocialistin Edi Rama, ndërsa një ftesë direkte i është bërë kryeparlamentarit Gramoz Ruçi. Gjithashtu mësohet se ftesa i janë bërë të gjithë ish-presidentëve të vendit. Ndërsa akoma nuk është vendosur nëse njeriu që e themeloi, tashmë në postin e presidentit, Ilir Meta do të jetë prezent në këtë përvjetor që organizohet në Pallatin e Kongreseve dhe më pas në hotel Rogner.

Si lindi LSI dhe rivaliteti me PS-në?

Pesëmbëdhjetë vite më parë Partia Socialiste të pësonte krisjen e saj më të madhe. Në vitin 2004, Ilir Meta pas përplasjeve të forta me kryeministrin dhe liderin e PS-së, Fatos Nano vendos që të shkëputet nga partia që e nisi dhe u formua politikisht. Së bashku me disa emra me peshë si Sabit Brokaj, Spartak Braho, Luan Rama, Ndre Legisi, Pëllumb Xhufi, Monika Kryemadhi,  Limoz Dizdari, Spartak Braho, Dritan Prifti, Eduard Alushi, Ndre Legisi dhe Mustafa Muçi, njerëz me kontribute disavjeçare në Partinë Socialiste. Do të ishin 795 firmëtarë për krijimin e kësaj partie politike, e cila tashmë kishte një sfidë të përmbyste dominimin politik të dy partive kryesore Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Në Konventën Themeluese të LSI në shtator 2004 kryetar u bë Ilir Meta, nënkryetarë Sabit Brokaj, Pëllumb Xhufi, Filloreta Kodra dhe Sokol Axhemi, sekretar i përgjithshëm Petrit Vasili, si dhe kryetar i Komitetit Drejtues Kombëtar, Limoz Dizdari.

Qeveria e majte, ku kryeministër ishte Fatos Nano dhe zv/kryeministër dhe ministër i Jashtëm, Ilir Meta

Natyrisht, për të gjitha postet nuk pati votim konkurrues, por mirëbesim e konsensus. Sipas statusit të LSI (2004) kryetari zgjidhej një herë në 4 vjet dhe “nuk mund të zgjidhet në funksion më shumë se dy mandate radhazi”. Por pavarësisht kësaj, nga viti 2004 deri në vitin 2017 partia do të drejtohej nga themeluesi i saj, Ilir Meta. Ai dha dorëheqjen nga posti për shkak të zgjedhjes si president i vendit.

Në këto 15 vite, LSI ka qëndruar 8 vite në pushtet dhe pjesën tjetër në opozitë. “15 Vjet LSI! 15 vite sakrifice dhe shpresë! LSI lindi si parti e kauzave dhe integrimit te vendit në Bashkimin Europian. Emri i saj e mishëron këtë prioritet më mirë se çdo gjë tjetër. Në një kohë kur partitë e mëdha zotëronin plotësisht monopolin e arenës politike, shpirti rinor, energjik dhe atdhetar i përfaqësuesve politik të LSI, ka thyer çdo mit, çdo tabu, çdo mentalitet, për t’i ofruar shqiptarëve një alternativë! Sot LSI mban flamurin e rinisë, të familjes, të vlerave dhe kauzave të mëdha dhe do të vazhdojë këtë mision me pasionin më të madh për të ndërtuar Shqipërinë europiane, Shqipërinë që duan dhe ëndërrojnë qytetarët e saj!”, thuhet në mesazhin e kësaj force politike në këtë përvjetor. E pikërisht do të ishte kjo forcë politike që pas dy vitesh në opozitë, pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2015, që shënuan ndaljen në opozitë të PS-së së drejtuar nga Fatos Nano, e që solli në pushtet Sali Berishën.  Për këtë Meta u cilësua si një “tradhtar” pasi braktisi PS-në dhe e nxori këtë forcë politike në opozitë.

Foto ilustruese, Ilir Meta gjatë drejtimit të fushatës elektorale të LSI në 2017

Por “urrejtja” mes PS-së dhe LSI-së nuk do zgjaste më shumë se dy vite, pasi me zgjedhjen si kryetar të PS-së të Edi Ramës, njeriu që Meta e kishte riemëruar si ministër i Kulturës kur ishte kryeministër në vitin 1999. Kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama për të mposhtur PD-në i nevojitej që e majta të ishte unike. Kjo bëri në zgjedhjet lokale të 2007-ës, PS dhe LSI të bënin koalicion së bashku dhe Tirana dhe qytete me peshë si Durrësi, Vlora e Korça që drejtoheshin nga opozita. Rama do të ishte personi që e mbështeste në distancë Metën në lëvizjen për largimin nga PS-ja. Pikërisht nga këtu do të niste dashuria dhe urrejtja mes Ramës dhe Metës. Shkak për këtë do të bëhej vendimi ekstrem i LSI-së në zgjedhjet parlamentare të 2009-ës. Pas këtyre zgjedhjeve, Meta i dha jetë një mandati të dytë Berishës. Me katër deputetët e tij të LSI-së, Meta bashkoi votat duke u ftuar si pjesë e qeverisë së djathtë, duke marrë poste të rëndësishme. Kjo do të ishte hera e parë që LSI do të luante një rol të fortë dhe me ndikim në politikën shqiptare. Rama do të mbante një deklaratë ku do të akuzonte Metën se tradhtoi 120 mijë vota të socialistëve që votuan për LSI-në.

Berisha dhe Meta pas firmosjes për koalicionin qeveritar në vitin 2009

Bashkimi me PD-në shkaktoi përçarje brenda LSI-së, ku figura kryesore të saj si Pëllumb Xhufi, Ndre Legisi, Sabit Brokaj, Fatos Klosi dhe Sokol Axhemi do të dilnin kundër dhe madje do të largoheshin nga kjo parti si rezultat i këtij bashkimi.

Në vitin 2011, Rama si lideri i PS-së do të kërkonte arrestimin e Ilir Metës pas filmimeve të Dritan Priftit dhe ngjarjeve të 21 Janarit, ku pas protestës u vranë 4 protestues të opozitës. Pas një mandati me ulje e ngritje, Ilir Meta do t’i shkonte në zyrë kryeministrit Sali Berisha dhe do t’i deklaronte dhënien fund të bashkëpunimit politik, e më pas do të niste një erë e re bashkëpunimi me PS-në, e cila po vuante 8 vite në opozitë, dhe ishte e detyruar që të bashkëpunonte me çdo forcë politike.

Kryeministri Sali Berisha, zevendesi i tij Ilir Meta dhe ministri i Brendshem, Lulzim Basha gjatë qeverisjes PD-LSI, 2009-2013

Kjo për faktin se Rama humbi dhe drejtimin e bashkisë, që u fitua nga Lulzim Basha, njeriu që më pas do të merrte drejtimin e Tiranës.

Në prillin e 2013, njeriu që bashkoi Ramën dhe Metën ishte Nar Koka, vëllai i deputetit të LSI-së, Lefter Koka. Dreka e famshme e ngjalave në Gjirin e Lalëzit do të mundësonte bashkimin politik mes dy partive të majta. Ndërsa Meta si për t’i shërbyer detyrimit dhe besnikërisë me Berishën, i dha votat për zgjedhjet si president të Bujar Nishanit. Koalicioni i ri politik, marrëveshja mes tyre do të firmosej në Shkodër, mes Ramës dhe Metës.

Me ardhjen në pushtet me PS-në, LSI-ja ishte forca që nuk e shijoi opozitën. Ndërsa Meta do të ishte kryetari i Kuvendit, duke çuar ministra përfaqësues të LSI-së. Bashkëqeverisja me LSI-në do të vijonte dhe në zgjedhjet lokale, ku bashkia e Tiranës u fitua nga PS-ja. Ndërsa përplasjet në këtë qeverisje do të vijonin të ishin të ashpra, ku ky mandat do të karakterizohej nga “dashuri dhe urrejtje” mes Ramës dhe Metës. Kjo përplasje do të vihej re sa i përket reformës në drejtësi, reformës zgjedhore dhe më pas për zgjedhjen e presidentit.

Ilir Meta kur drejtonte Parlamentin si Kryetar dhe Kryeministri Edi Rama. Gazeta Si, 4 shtator 2019

Meta do të detyrohej që të zgjidhej si president, si një nga kushtet e PS-së ndaj aleatit të tij. Ikja e Metës në Presidencë në vitin 2017 bëri që LSI-në ta merrte Monika Kryemadhi, e cila do të ishte e parë grua që drejtonte një parti politike. Edhe pse Meta mbante mbi supe "gradën" president në zgjedhjet e fundit parlamentare ai do ta drejtonte fuqishëm fushatën elektorale. Mori 19 deputetë si asnjëherë tjetër dhe pse beteja elektorale duket sikur ishte më tepër kundër LSI-së, pasi si Rama dhe Basha, pas marrëveshjes së 17 majit 2018, sulmonin LSI-në në çdo fushatë.

Pas krijimit të Parlamentit të ri , LSI do të drejtohej fillimisht nga Petrit Vasili, i cili do të jepte dorëheqjen për t'u zgjedhur Monika Kryemadhi.

Kryetarja e LSI-së. Monika Kryemadhi

Që nga zgjedhjet e fundit, LSI është në opozitë dhe në koalicion me PD-në. Bojkoti i Parlamentit dhe dorëzimi i mandateve bëri që LSI-ja të pësojë goditje, pasi një pjesë e deputetëve të tjerë në listën shumë emërore të mos refuzonin urdhrin politik. Ndërsa do të mbeste jashtë pjesëmarrjes në zgjedhjet lokale, duke humbur edhe peshën në ato bashki që drejtoheshin nga njerëzit e LSI-së, ku ishin edhe anëtarë e simpatizantë të punësuar. Tashmë pas 15 vite, LSI-ja nën drejtimin e Metës pati shumë ndikim politik, ndërsa u cilësua si njeriu “Kingmaker” i politikës. Si rezultat i përplasjes me PS-në, tashmë Meta po përjeton në këtë luftë edhe betejën e radhës atë të shkarkimit nga posti i Presidentit.

Drejtimi i LSI-në nga Kryemadhi ka ngritur edhe pikëpyetje nëse kjo parti mund të rrudhet apo do t’i ikin anëtarët. Fati i Metës si president i vendit mund të vendosë edhe fatin politik të LSI-së, e cila tashmë sfidën e radhës e ka nëse do të vijë në pushtet në një koalicion politike me PD-në ose jo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë