Nga Gazeta Si- Pas Prishtinës, emisari i posaçëm i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak udhëtoi drejt Beogradit për të biseduar paraprakisht për takimin e 18 marsit që do të mbahet në Ohër ndërmjet Kurtit dhe Vuçiç.
Lajçak është pritur sot nga presidenti serbi Aleksander Vuçiç ku kanë biseduar për planin e BE-së me 11 pika i prezantuar në takimin e 27 shkurtit në Bruksel.
Mediat serbe bëjnë të ditur se Vuçiç diskutoi me Lajçak për propozimin europian, formimin e Unionit të Komunave Serbe dhe hapat e tjerë të nevojshëm që synojnë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.
Presidenti Vuçiç theksoi se Serbia po punon me përgjegjësi dhe është e përkushtuar për të negociuar me qëllim të arritjes së kompromisit dhe zgjidhjeve të qëndrueshme, të nevojshme për një jetë normale dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët, me kufizime të përcaktuara qartë.
Presidenti serb edhe në këtë takim ritheksoi se formimi i Unionit të Komunave Serbe (Asociaconi) është parakusht për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe për sigurinë dhe mbrojtjen e të drejtave të popullit serb në Kosovë. Ndërsa bisedimet me Lajçak duket se nuk kanë shkuar aq mirë ditën e parë. Këtë lë të kuptojë Vuçiç në postimet në rrjetet sociale ku shkruan se “Ne do të vazhdojmë sonte dhe nesër bisedimet për Kosovën dhe Metohinë dhe të ardhmen evropiane të Serbisë. Rroftë Serbia!”.
Bashkimi Europian ka propozuar 15 modele për krijimin e asociacioneve. Kjo është konfirmuar nga vetë kryeministri Albin Kurti.
“Modelet të cilat janë prezantuar nga emisari europian Lajçak janë solucione të ndryshme të pakicave kombëtare në vendet e Bashkimit Europian. Janë pesëmbëdhjetë sosh gjithsej të cilat janë të mirënjohura. Unë nuk po përmend ndonjërën që të mos i rrezikoj apo harroj një pjesë. Por në vendet e BE-së dihet se përveç popullsisë shumicë, ka edhe pakica dhe janë përmendur 15 raste të tilla, disa janë më rishtazi, disa më të hershme edhe para se të ekzistojë BE-ja. Por unë besoj se ato janë modele nga të cilat ne mund të marrim elemente në mënyrë që jo vetëm të drejtat e njeriut, por edhe të drejtat e pakicave kombëtare të jenë në nivelin e duhur në vendin tone”, theksoi Kurti.
Kryeministri i Kosovës shtoi se megjithëse këto modele po shqyrtohen nuk do të ketë kompromis në disa aspekte.
“Ato modelet po trajtohen nga këshilltarët e mi, nga disa prej ministrave në mënyrë që të shohim se çka është më e favorshme. Natyrisht, kushtetutshmëria, ligjshmëria, barazia, funksionimi i shtetit janë diçka me të cilën ne nuk bëjmë asnjëherë askund kompromis”, tha Kurti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




