Teater

’15 ditë Prilli’ reflektim mbi të shkuarën për publikun e sotëm shqiptar

Nga Liridon Mulaj– Disa trupa të njomë djemsh të vrarë që përdoren për praktika anatomike në fakultetin e mjekësisë, një statujë e diktatorit e cila bëhet shkak për deklasimin e një gruaje nga klasa e thjeshtë punëtore, një spital heronjsh me vrasje të projektuara sipas planit të partisë, apo dhe një shkrimtar i burgosur nga miqtë e tij. Nga përjetimi në fletë të bardhë dhe nga fleta e bardhë në skenën e teatrit, kjo është në një kronologji të shkurtër historia e romanit “15 ditë Prilli” të Anisa Markarian, i vënë në skenën e “Teatrit Kombëtar”  nga regjisorja Driada Dervishi.

Çfarë ndodh kur disa jetë reale “ngrihen” në faqet e një romani për t’u ringjallur sërish, jo tashmë në një hapësirë të një bote të përtejme por në skenën e një teatri nën petkun e personazhit, i cili në këtë rast përfaqësohet nga aktorë dinjitoz të skenës shqiptare si Yllka Mujo, Hervin Çuli apo Romir Zalla.

Ndodh ajo që duhet të ndodhë, tronditja që shkakton një dramë e mirë e cila gjithmonë është një hap drejt purifikimit dhe njohjes së historisë e cila tragjikisht rreket të përsërisë veten në formën e saj më të errët. “15 ditë Prilli” tenton të mos e lejojë këtë përsëritje nëpërmjet kujtesës, si të vetmen “armë” kundër zvetënimit.

Një copëz historie e ndërtuar mbi një inskenim alegorik por dhe realist, si një ndërthurje e cila rrok më së miri shqisat e publikut por dhe ngacmon fort ndjesitë e tij duke i shkaktuar pikërisht reflektimin, drejt një katarsisi të fortë dhe stoik, i cili  shpesh shoqërohet edhe me ndonjë lot që rrëshqet në portrtet e fshehura nën dritën e pakët të sallës.

Driada Dervishi:  Është detyra e çdo artisti që të kundërshtojë nëpërmjet artit sistemet totalitare

Regjisorja Driada Dervishi thotë për Gazetasi.al se kjo shfaqje sa alegorike por dhe satirike, është një reflektim mbi të shkuarën e përshtatur për një publik të sotëm.

“Misioni i teatrit është të bëjë publikun të reflektojë dhe sigurisht të provokojë, çka uroj t’ia kemi dalë. Disa gjëra të së shkuarës ne i kemi harruar dhe ato të mira që kemi shpesh i marrim për të mirëqëna. Jam përpjekur që shfaqjen ta sjell në atë formë që i përshtatet publikut sot. Sigurisht që shfaqja është një  reflektim i së shkuarës por besoj se mbart dhe një aktualitet shumë të madh dhe është pikërisht ajo që historia vjen herën e parë tragjedi dhe herën e dytë parodi. Mua më pëlqen shumë teatri alegorik por dhe satirik dhe besoj se është detyra e çdo artisti që të kundërshtojë nëpërmjet artit sistemet totalitare duke ruajtur dhe punuar fort lirinë”.

Ajo shton se dramatizimi i romanit “15 ditë Prilli” të Anisa Markarian ishte një sfidë e madhe vetë për shumë arsye, që nga krijimi i tekstit ekstrakt e deri tek përzgjedhja e kastit të aktorëve.

“Kur kam lexuar romanin e Anisa Markarian, për hir të së vërtetës mu duk një sfidë e jashtëzakonshme duke qenë se në Shqipëri në këto tridhjetë vite nuk e di nëse janë dramatizuar romane. Ka qenë dhe një sfidë e madhe edhe për faktin se një roman me katërqind faqe dhe një mori personazhesh të përmblidhet në 45 faqe tekst. Po ashtu përshtatja e shumë personazheve në një aktor të vetëm ka qenë një sfidë më vete por unë përpiqem të zgjedh një kast aktorësh të cilëve ju besoj dhe mendoj se e realizojnë shumë mirë”

Anisa Markarian: Kjo dramë  është historia jonë!

Autorja e romanit, Anisa Markarian e ardhur enkas nga Franca për premierën e shfaqjes, thotë për Gazetasi.al se historia e romanit nuk është vetëm historia e një individi por e gjithë shoqërisë shqiptare.

“Në roman unë përshkruaj historinë e disa djelmoshavë të pushkatuar të cilët ne fatkeqësisht ishim të detyruar ti studionim në shkollë.  Drama ka personalitetin e saj e cila është thuajse veçmas nga ai i romanit. E bukura e dramatazimit është se ti vëren ndryshimet mes romanit dhe dramës. Jam shumë e kënaqur sepse në rradhë të parë vjen në skenë një dramë shqiptare , mbi një histori të dhimbshme që është e jona. Qoftë motivi i romanit por dhe i dramës është që kjo histori të mos përsëritet”

E fragmentarizuar  duke dashur të evidentojë skenat më  përfaqësuese e për rrjedhojë më tronditëset, shfaqja sjell pranë publikut një vepër tëresisht shqiptare, atë çka shpesh i ka munguar teatrove tona. Por përtej këtij fakti, duke e marrë në kompleks shfaqja “15 ditë Prilli” sjell dramën e madhe të shoqërisë shqiptare, atë për të cilën rrallë kujtohemi, por edhe më rrallë flasim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë