“Liria ka emër”. Ky është titulli i këngës së Leonora Jakupit që u publikua pak orë para përvjetorit të 14 të Pavarësisë së Kosovës.
Këngë kjo që duket e vetmja që i kujton ata që çliruan dhe më pas ishin aktorë të shpalljes së Pavarësisë në 17 shkurtin e vitit 2008.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe të tjerë ndodhen sot në Hagë në pritje të gjykimit për krime lufte.
Ndërsa në Prishtinë në tribunën e festimeve ishin 3 krerët më të lartë të shtetit që në të shkuarën e tyre nuk patën rol në luftë dhe në shpalljen e Pavarësisë. Paradën e Forcave të Sigurisë e shijuan Presidentja Vjosa Osmani, Kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe Kryeministri Albin Kurti.
Në një rit të përvitshëm, më herët ata ngritën flamurin në mëngjes, dhe nderuan më pas me homazhe në Kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz, te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova e ai i veprimtarit Adem Demaçi.
Albin Kurti tha se Kosova është shtet ku të gjithë jetojnë të barabartë dhe premtoi për anëtarësimin e saj në NATO e BE.
Kurti nuk përmendi emra protagonistësh të shpalljes së Pavarësisë, por kujtoi dëshmorët që u vranë për të çliruar Kosovën
“Rrugëtimi i popullit tonë deri në këtë ditë ishte i gjatë edhe i mundimshëm, sot i kujtojmë heronjtë tonë që dhanë më të shtrenjtën e tyre, sot kujtojmë vuajtjen e flijimin e heronjve tonë atyre që na kujtojnë se sa është e shenjtë liria…”, tha ai, duke nënvizuar se, “Kosova është çështje e të gjithëve”.
Kuvendi i Kosovës zhvilloi gjithashtu një seancë solemne për të shënuar 14-vjetorin e shtetësisë, që nuk pati frymën përbashkuese të fillim ditës.
Një pakënaqësi e iniciuar nga fjalimi Albin Kurtit ku përzieu shpalljen e pavarësisë me debatet e ditës çoi në largimin e opozitës nga salla, duke e bërë edhe më të vogël madhështinë e kësaj feste.
Me protagonistë të munguar dhe më një klasë politike të përçarë…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




