Nga Gazeta Si- Në 3 muajt e parë të vitit, në Shqipëri janë raportuar zyrtarisht 14 raste me fruth ku pjesa më e madhe janë të pavaksinuar, çka tregon edhe një herë tjetër hezitimin që prindërit kanë për të vaksinuar fëmijët për fruthin, pas mendimeve se kjo vaksinë shkakton autizëm.
Në muajin mars ka pasur një shpërthim të fruthit në një kopësht në Fier, ndërkohë që raste me fruth ka pasur në Tiranë, Lezhë dhe Vau i Dejës.
Një shqetësim mbetet edhe shkelja e ligjit nga institucionet arsimore të cilët nuk duhet të pranojnë në shkollë dhe çerdhe asnjë fëmijë të pavaksinuar sipas kalendarit të vaksinave, gjë që prej vitesh është raportuar se ndodh jo pak herë.
Nga rastet e raportuara, 9 fëmijë janë të pavaksinuar ndërsa 5 të tjerë janë të vaksinuar me 1 dozë.
Në Shqipëri mbizotërojnë rastet e grupmoshës 2 deri në 4 vjeç ndërkohë që mosha më e madhe e infektuar është një fëmijë 14 vjeç.
Europa ka raportuar numrin më të madh të rasteve të fruthit në më shumë se 25 vite ndërkohë që në Amerikë deri më tani kanë ndërruar jetë 3 persona, 2 fëmijë dhe një i rritur.
A duhet që në kohët që jetojmë të regjistrohen ende vdekje fëmijësh nga fruthi?
Doctor Leidon Shapo, ekspert i shëndetit publik në Britani thotë se numri i rasteve të fruthit në rajonin evropian u dyfishua në 2024 ku më shumë se 40% e rasteve të rajonit ishin fëmijë nën pesë vjeç.
“Nëpër deklarata thuhet se ‘Gogoli’ fruth është rikthyer, terma që e vënë gabim theksin se pse jemi ketu ku jemi dhe ç’duhet bërë, jo thjeshtë mes kambanave për vaksinim”, thotë doktor Shapo.
Doktori sqaron se vaksina MMR, e cila imunizon njerëzit kundër fruthit, shytave dhe rubeolës është 97% efektive në luftimin e virusit të rrezikshëm.
Në vitin 2023, gjysmë milioni fëmijë në të gjithë rajonin (Evrope dhe Azi qendrore) humbën dozën e parë të vaksinës (MCV1) që duhet të jepet përmes shërbimeve rutinë të imunizimit.
Dy doza të vaksinës së fruthit besohet se janë 97% efektive në parandalimin e sëmundjes, e cila zakonisht prek sistemin e frymëmarrjes dhe çon në simptoma të tilla si ethe, kollë, rrjedhje hundësh dhe skuqje.
“Fruthi është një nga viruset më ngjitëse për njerëzit. Në raste të rënda, infeksionet mund të shkaktojnë komplikime duke përfshirë pneumoni, encefalit, dehidrim dhe verbëri. Më pak se 80% e fëmijëve qe duheshin vaksinuar në Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Rumani u vaksinuan me MCV1 në 2023, që është shumë më poshtë se shkalla e mbulimit prej 95% e nevojshme për të parandaluar një shpërthim”, sqaron doktori.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.