Nga Gazeta Si – Në përfundim të ndeshjeve për raundin e ⅛-ve në Kupën e Shqipërisë, ajo shndërrohet në Kategori Superiore.
Kjo pasi 8 skuadrat që do të vazhdojnë rrugën në ¼ finale vijnë nga niveli më i lartë i futbollit në vend.
Në ndeshjet e pasdites u shënuan 7 gola dhe u kualifikuan Egnatia, Vllaznia, Teuta dhe AF ELbasani.
Dy herë kampionët në fuqi u mjaftuan me golin e Buric (19’) për të eleminuar Apoloninë.
E kursyer u tregua edhe Vllaznia që për të eleminuar Pogradecin priti 7 minutat e fundit kur shënoi golin e fitores me Gjinin.
Ndryshe nga dy “simotrat”, Teuta shënoi dy herë, një gol për cdo pjesë ndaj Vorës.
Jurgens (16’) dhe Toli (52’) kualifikuan më tej “djemtë e Detit”.
Ndërsa në Elbasan u luajt e treta ndeshje në shtesë. Lajthia (30’) zhbllokoi për vendasit por ishte Oshafi (59’) që barazoi për miqtë.
Rezultat që nuk ndryshoi deri në 113’ kur Ibraimi gjeti avantazhin e dytë për vendasit që në fund rezultoi goli edhe goli i fitores.
Në këtë raund u dhanë edhe 3 kartonë të kuq (2 pas dy të verdhëve) për Sulovarin (Bylis) ndaj Lacit dhe Mustën (AF Elbasani) ndaj Flamurtarit.
Si dhe një i kuq direkt për Murrën (Burreli) ndaj Partizanit.

Kryeqyteti vazhdon rrugën drejt Kupës pas fitoresh të pastra që Dinamo City dhe Partizani arritën ndaj Besës dhe Burrelit.
Ndërsa Tirana kërkoi kohën shtesë për të mposhtur skuadrën më të mirë të Kategorisë së parë.
Kundërshtarët nga një kategori më poshtë ishin të pafuqishëm duke u kthyer në objektivat e tyre një nivel më poshtë.
Bernard Berisha (12’), Devi Bregu (80’) dhe Hekuran Berisha (90’) ishin autorët e golave për blutë ndaj verdhezinjve.
Në ndryshim nga Dinamo City, të kuqtë e Kërnajës vendosën gjithcka në pjesën e parë, pas golave të Human (19’) dhe Contreras (45’).
Ndërsa Skuka shënoi golin e fundit në minutën e 85 kur gjithcka ishte në pritje të vërshëllimës së fundit.

Tirana shënoi e para në “Selman Stërmasi”. Ishte Myslovic (41’) ai që i coi vendasit në avantazh në pushim.
Rezultat që mbeti në fuqi deri në minutën e parë shtesë kur barazoi Janaqi për korcarët.
Shtesa e parë u mbyll me të njëjtin rezultat ndërsa 4’ përpara penalltive, ishte Tare që shënoi golin e fitores pas topit të ardhur nga Ernest në krahun e majtë.
Bylis është skuadra e 4-rt që vazhdon më tej pasi eleminoi Lacin (një tjetër skuadër e Kategorisë së parë) në shifrat 3-2.
Mouctar (16’) dhe Mustapha (61’) shënuan dy herë për vendasit por Muhammad (45’) dhe Jiakponna (90’+4) barazuan për miqtë.
Në kohën shtesë dhe me një lojtar më pak, ballshiotët shënuan golin e fitores me Abdullahin në 107’.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



