Kosova feston sot 13-vjetorin e pavarësinë pas zgjedhjeve të reja, të cilët duket se nxorën të njëjtin kryeministër si një vit më parë, kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Së bashku me aleaten e tij në këto zgjedhje, ushtruesen e detyrës së presidentes Vjosa Osmani, Kurti ka bërë homazhe për të dytën herë në jetën e tij te varri i liderit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Pas homazheve, Osmani ishte e para që ka uruar qytetarët e vendit për 13-vjetorin e Pavarësisë.
Ajo theksoi se së bashku me Kurtin, nderuan presidentin historik dhe njeriun që hapi dyert e botës, në mënyrë që zëri i popullit të Kosovës dëgjohet kudo.
“Ne sot filluam ceremoninë me ngritjen e flamurit shtetëror nga ushtria jonë, nga Forca e Sigurisë së Kosovës dhe tani po vazhdojmë me homazhe te njerëzit kanë dhënë gjithçka që ne sot të gëzojmë lirinë dhe pavarësinë. E nderuam arkitektin e pavarësisë së Kosovës, presidentin historik dr. Ibrahim Rugova, njeriun që unifikoi kërkesat e shqiptarëve të Kosovës për liri, për pavarësi dhe për sovranitet dhe njeriun që hapi dyert e botës, në mënyrë që zëri ynë, zëri i popullit tonë të kumbojë dhe të dëgjohet kudo”, ka thënë Osmani.
Edhe Kurti uroi 13-vjetorin, duke thënë se uron që viti i 14-të i shtetit të pavarur të Kosovës të jetë me drejtësi e zhvillim. “Urime e gëzuar përvjetorin e 13-të me shpresë dhe besim se viti i 14-të i shtetit tonë të pavarur do të jetë me drejtësi, me demoratizim e zhvillim”, ka thënë ai.
“Sot kujtojmë personalitetet kombëtare historike që kontribuuan në faza e mënyra të ndryshme, prandaj vendosëm lule të freskëta te presidenti i parë doktor Ibrahim Rugova, që ishte edhe presidenti i parë në Kosovën e çliruar për të vazhduar në aktivitete të tjera”, është shprehur ai. Ai po ashtu falënderoi të gjithë qytetarët që kanë kontribuar për këtë ditë.
“I falënderojmë qytetarët që kanë kontribuar për këtë ditët dhe kujtojmë të gjithë dëshmorët dhe martirët, ata të cilët nuk janë më, e falë të cilëve e kemi lirinë”, tha Kurti.
Nga ana tjetër, kryeministri në detyrë Avdullah Hoti ka bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz me rastin e 13-vjetorit të Pavarësisë.
Hoti ka thënë se familja Jashari ka bërë sakrificën më të madhe për lirinë e vendit. Sipas tij, nderimi për ta është nderim për gjithë të rënit.
“Bëmë nderime për nderuar familjen Jashari për sakrificën më të lartë të bërë për lirinë e Kosovës, duke nderuar familjen Jashari ne nderojmë të gjithë të rënit për liri”, ka thënë Hoti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.