Lulzim Basha quan maskaradë zgjedhjet e 25 prillit, por zgjedhjet për kryetar të Partisë Demokratike dhe të gjithë procesin që pasoi këto zgjedhje, Bujar Nishani i cilëson si maskaradë e Lulzim Bashës për të mbrojtur karrigen e tij.
Nismën e Bashës për të analizuar rezultatet në 4 zgjedhjet e fundit parlamentare dhe propozimet për ndryshime statutore e lexon si përpjekje për të bllokuar ndryshimin e vërtetë të PD.
LEXO EDHE:
– Basha do të analizojë Berishën. Formulari, në sitë edhe zgjedhjet e 2009-s dhe 2013-s
– Basha ka gati spastrimin në PD
– Shifrat, Lulzim Basha fitoi kryetarin por “ka humbur” anëtarësinë
“Lulzim Basha sot po bllokon e pengon reflektimin, korigjimin dhe ndryshimin rrënjësor të PD, jo vetëm si një parti kryesore e sistemit tonë politik por më së shumti si alternativë qeverisëse në një demokraci funksionale”, thotë Nishani.
Kryetari i Këshillit Kombëtar në detyrë në PD flet për një një “realitet të trishtë” në të cilën ndodhet sot opozita. “Që duhet ta detyronte Lulzim Bashën të krijonte hapësirën e një projekti të ri politik, krejt të ndryshëm nga ai i 2013-2021, që rezultoi i pasuksesshëm dhe i dështuar”, vijon ai.
Nga 13 Qershori, Bujar Nishani nxjerr edhe një fakt tjetër.
“Për herë të parë në historinë e saj, PD drejtohet nga një Kryetar i cili doli nga procesi zgjedhor me votat e vetëm 30 për qind të anëtarësisë, pra që përfaqëson minorancën brenda kësaj partie, madje duke marrë 40 për qind më pak vota se sa kishte marrë në zgjedhjen e tij paraardhëse në 2017. Imagjinoni tani se sa do të mundet të motivojë e bëjë për vete ky “udhëheqës” elektoratin shqiptar në zgjedhjet e ardhshme kur brenda partisë së tij ka rënë me 40 për qind”, thotë Nishani.
Me Lulzim Bashën në krye, sipas kreut të Këshillit Kombëtar të PD, opozita sot paraqet kërcënimin më të dobët për qeverisjen e PS, pavarësisht se në këndvështrimin e Nishanit, kjo qeverisje është karakterizuar nga skandale të mëdha korruptive.
“Megjithëse qeverisja aktuale e PS është më e paafta, më e korruptuara dhe më kërcënuesja ndaj interesave kombëtare se sa çdo qeverisje tjetër e mëparshme socialiste, përsëri ajo ndihet më e pakërcënuar dhe pa kokëçarje nga rreziku i kundërshtarit përballë. Përgjegjësia për këtë nuk është vetëm e Lulzim Bashës, por më e para dhe më kryesorja është e tij”, thotë ai.
Bashën e akuzon se ka mbajtur PD në një stanjacion politik, strukturor, pa nerv vibrant dhe paralajmëron se me të në krye zgjedhjet do të humben edhe në 2025-n.
“Regjimi i Edi Ramës ekzekutoi të njëjtin skenar manipulimi siç kishte bërë edhe në 2015 e 2017, madje me blerje votash e ushtrim influencash edhe më të mëdha e më të shumta se më parë, sepse në 2021 kishte para korrupsioni në dispozicion shumë më tepër se në 2017, dispononte pushtet shumë më të madh e të pakontrolluar se në 2017. Por, po ashtu është shumë e qartë se në zgjedhjet e ardhshme vendore dhe në ato parlamentare në 2025, regjimi i tij do të ketë edhe më shumë para korrupsioni e pushtet të pakontrollueshëm se sa sot në 2021”, vijon ai.
Për këtë arsye, sipas Nishanit, PD i duhet lidership i ri, vizion i ri, projekt i ri. PD nuk mund të ketë sukses duke u drejtuar nga një kryetar i pa aftë dhe jo serioz. PD i duhet një lidership ndryshe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




